Teatri ‘Avdush Hasani’ hap konkurs për 6 aktorë të rinj

Teatri i Qytetit të Podujevës, “Avdush Hasani”, ka hapur sot konkurs për pranimin e 6 aktorëve.

Teatri ‘Avdush Hasani” është themeluar në viti 2015 dhe deri më sot nuk ka arritur të ketë ansamblin e vet rezident siç kërkohet me Ligjin për Teatrot.

Gjashtë aktorët e rinj që do të pranohen, sipas konkursit do të përfitojnë një kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi.

Të drejtë aplikimi për të qenë pjesë e Teatrit të Podujevës kanë të gjithë shtetasit e Kosovës të moshës madhore, që kanë diplomë universitare dhe shkollim adekuat.

Agron Gërguri, drejtor i Teatrit “Avdush Hasani”, ka thënë për Kallxo.com se përzgjedhja e aktorëve të rinj do të bëhet nga një komision i emëruar nga Këshill Drejtues i Teatrit.

“Përzgjedhjen e bën komisioni i propozuar nga drejtori e i emëruar nga Këshilli Drejtues. Tashmë komisionin e kemi formuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky është konkursi i parë që shpallet për rekrutimin e punëtorëve të Teatrit “Avdush Hasani” dha përmban një dozë feste edhe për faktin se po ndodh në vigjile të Ditës së Çlirimit të Podujevës, 19 Qershorin.

Të interesuarit dorëzimin e aplikacioneve duhet ta bëjnë deri më 1 korriku 2020, deri në ora 15:00, në Qendrën e shërbimit për qytetarë në Komunën e Podujevës.

Sipas Ligjit për teatrot, teatrot e qyteteve duhet të kenë ansamblin rezident me më së paku 10 aktorë.

“Teatri i qytetit mund të ketë ansamblin rezident prej së paku dhjetë (10) dhe me së shumti njëzet (20) aktorëve”, thuhet në pikën 5, neni 7 të ligjit për teatrot.

Ndërsa po sipas këtij ligji përzgjedhja e aktorëve bëhet nga një komision i kryesuar nga menaxhmentet e teatrove të qyteteve.

“Ansamblin artistik rezident e përzgjedhë komisioni profesional i përbërë nga pesë (5) anëtarë. Anëtarët e komisionit profesional përzgjidhen nga Këshilli drejtues i teatrit nga lista prej së paku tetë (8) kandidatëve, të propozuar nga udhëheqësi artistik. Komisionin e kryeson udhëheqësi artistik apo drejtori i përgjithshëm aty ku nuk është funksionale pozita e udhëheqësit artistik. Përzgjedhja e aktorëve për ansamblin rezident bëhet përmes procedurës së audicionit me konkurs publik”, thuhet në nen 16 të ligjit për teatrot.