Hyjnesha në Fron - Foto: Festivali "Hyjnesha ne Fron"
Të premten nis Festivali i filmit "Hyjnesha në Fron"
Edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Hyjnesha në Fron” do të nisë të premten më 13.12.2024 dhe mbahet në Kino Armata në Prishtinë.
Edicioni i sivjetshëm i këtij Festivali hapet me filmin dokumentar “Kthimi në Kosovë” nga Julius Strauss, i cili trajton ngjarjen e dhimbshme të familjes Deliu nga Abria e Epërme e Drenasit, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Organizatorët e Festivalit kanë bërë të ditur se këtë vit do të organizohet edhe “Hyjnesha Kids”, me ç’rast në ditën e dytë do të shfaqen filma të animuar për fëmijë.
E veçantë e këtij edicioni, sipas organizatorëve, është edhe organizimi i masterklasave dhe rëndësia që ato bartin.
“Duhet theksuar se Walter Krochmal, aktor dhe njohës i filmit, do të mbajë një masterklasë me temën: ‘Lidhja mes aktorit dhe producentit, ndikimi i festivaleve ne film si dhe shkolla amerikane e filmit dhe ndikimi i saj i veçantë në industrinë e filmit’. Po ashtu, producenti Valon Bajgora do të mbajë një masterklasë me temën: ‘Sigurimi i financave për filma dhe rabatet’”- thuhet në njoftimin e Festivalit.
Festivali ka karakter garues dhe juria vlerësuese për këtë edicion përbëhet nga: Walter Krochmar (aktor, SHBA), Osman Serkan Erol (regjisor), Hazir Sh. Haziri (aktor dhe producent), Albina Osmani (aktore dhe dramaturge), Muhamed Arifi (aktor) dhe Mirlinda Dreshaj (gazetare dhe producente).
Festivali do të zgjasë deri më 15.12.2024, kur edhe bëhet ndarja e çmimeve.