Të premten hapet sezoni artistik në Teatrin ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren

Teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit do të hapë këtë të premte sezonin e ri artistik me reprizën e shfaqjes “Kukulla” me regji të Kaltrim Balajt.

Shfaqja do të jepet në ora 20:00, ndërsa bileta për të parë shfaqje do të kushtojë 2 euro, kurse për studentë 1 euro.

Menaxhmenti i Teatrit “Bekim Fehmiu” përmes një njoftimi publik bën të ditur se ky teatër në fund të kësaj jave do të hapë sezonin artistik me reprizat e dy shfaqjeve.

Përveç shfaqjes “Kukulla” që do të jepet të premten në mbrëmje, të dielën, 8 shtator 2019, Teatri “Bekim Fehmiu” shfaq reprizën e shfaqjes “Leonse & Lena”.

Po ashtu, sipas njoftimit, gjatë kësaj jave ky teatër do të fillojë edhe përgatitjet për projektin teatror të radhës.