Galeria e Arteve/ Foto- Urim Krasniqi
Të premten hapet ekspozita ‘Lumturi Blloshmi. Nga e para’
Ekspozita retrospektive “Lumturi Blloshmi. Nga e para” do të hapet të premten, më 1 shtator 2023, në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ekspozita i dedikohet jetës dhe veprimtarisë së Lumturi Blloshmi.
Ekspozita synon të prezantojë dhe ri-pozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në kontekstin e historisë së artit kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Ekspozita përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga vitet ’60-të deri në vitet ‘2000-jë, dhe përfshin autoportrete, peizazhe, portrete, kompozime në pikturë, fotografi e instalacione që flasin për thelbin estetik dhe realitetin personal të Blloshmit, po aq sa flasin dhe për kontekstin specifik politik dhe social në të cilin u krijuan”, thuhet në njoftimin e GKK-së.
Ekspozita është kuruar nga Adela Demetja dhe do të jete e hapur deri më 15.10.2023.
Lumturi Blloshmi (1944–2020) lindi dhe jetoi në Tiranë. U diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1968, por nuk iu lejua të ekspozojë dhe vazhdojë praktikën e saj krijuese nga pushteti komunist shqiptar. Ekspozitën e saj të parë vetjake e çeli në vitin 1988 në Berat. Pas viteve ’90-të ajo shquhet si një nga artistet më të mira bashkëkohore në artin pamor shqiptar. Punimet e saj janë ekspozuar në shumë ekspozita personale e grupore në Shqipëri, Kosovës e nde të ndryshme.
Ajo ishte artistja e parë grua që përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen e Venecias në edicionin e 59-të. Blloshmi ndërroi jetë më 27 Nëntor 2020 si pasojë e një infeksioni me Covid-19.