Të mërkurën në Beograd nis edicioni i radhës i festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!’

Edicioni i 9-të i festivali “Mirëdita, dobar dan!” do të mbahet nga 25 deri më 28 maj 2022 në Beograd.

Festivali do të nis më 25 maj (e mërkurë) maj nga ora 18:00 me ekspozitën “Gjithë lotët tanë”, ndërsa ceremonia e hapjes së festivalit do të bëhet më 26 maj në orën 18:00, në oborrin e Qendrës për Dekontaminim Kulturor (CZKD), pas së cilës të gjithë të ftuarit do të kenë mundësi të shohin shfaqjen teatrore “Stiffler”.

Organizata “Integra”, njëra prej organizatorëve të këtij festivali bënë të ditur se edicioni i nëntë i “Mirëdita, dobar dan!” do të fillojë me një paraqitje të përjetimeve të viktimave dhe të mbijetuarve të luftës.

Sipas njoftimit të Integra-s, dëgjimi i përjetimeve të viktimave dhe të mbijetuarve të luftës konsiderohet e rëndësishme për të kuptuar se paqja është e vetmja rrugë e sigurt përpara.

“Fokusi kryesor i programit të debatit të festivalit në këtë edicion do të jetë qasja e shoqërive të Kosovës dhe Serbisë ndaj luftës që po vazhdon të ndodhë në Ukrainë, si dhe kujtesa kolektive dhe dokumentimi i përvojave të burgosurve politikë të ‘Goli Otokut’, një burg ishullor i kohës jugosllave”, thuhet në njoftim.

“Integra” njofton se në kuadër të këtij festivali, më 27 maj nga ora 21:00.në Qendrën Kulturore Hebreje, “Oneg Shabat” do të mbahet koncerti me këngëtarin Shpat Deda. Kurse, më 28 maj, nga ora 20:00 në Arkivin e Filmit Jugosllav (Uzun Mirkova 1), do të shfaqet filmi ‘Zgjoi’ i regjisores Blerta Basholli.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit “Mirëdita, dobar dan” do të jetë falas.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” organizohet nga “Integra”, Nisma e të  Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Iniciativat Qytetare dhe ForumZFD.