Të hënën nis intervistimi i kandidatëve për aktorë në Prizren

11 kandidatë kanë konkurruar për t`u bërë pjesë e ansamblit rezident të aktorëve të Teatrit “Bekim Fehmiu” të Qytetit të Prizrenit.

Në fillim të kësaj jave është mbyllur konkursi publik i shpallur nga Komuna e Prizrenit me të cilin kërkohen 11 aktorë rezidentë për Teatrin “Bekim Fehmiu”.

Zyrtarë të Komunës së Prizrenit kanë konfirmuar për KALLXO.com se 11 kandidatë kanë konkurruar për të qenë pjesë trupës rezidente të teatrit dhe intervistimi nis në fillim të javës së ardhshme.

“Hapja e konkursit është bërë me datën 15.06.2020 dhe ka qenë i hapur deri më 29.06.2020 ku kanë konkurruar gjithsej 11 aktorë. Intervistimi do të fillojë të hënën me datën 06.07.2020 dhe të drejtë kandidimi kanë pasur  të gjithë aktorët e Republikës së Kosovës”, tha Sazan Cukaj, zyrtar i lartë për kulturë në Komunën e Prizrenit.

Teatri i Qytetit të Prizrenit, “Bekim Fehmiu”, si teatër profesionist është themeluar në vitin 2015 nga Asambleja Komunale e Prizrenit. Aktualisht ka 9 aktorë profesionistë të cilët për vite janë angazhuar me kontrata një vjeçare në bazë të projekteve.

Sipas ligjit për teatrot, teatrot profesionale të komunave funksionojnë në ombrellën e komunave përkatëse dhe mund të kenë një ansambël me më së paku 10 aktorë profesionistë.

Komuna e Prizrenit më 15 qershor ka hapur konkurs publik për punësimin e 11 aktorëve në teatrin “Bekim Fehmiu”.