"Të fala nga Prishtina": Në Berlin mbahen ditët e filmit kosovar

Organizuar nga platforma “October 21 e.V.” më 19 dhe 20 tetor 2024, do të mbahen të Berlin, edicioni i parë i festivalit “City Film Days”. Programi i filmave të këtij festivali titullohet “Të fala nga Prishtina” dhe është kuruar nga Blerta Haziraj.

Në kuadër të këtij programi të festivalit “City Film Days” do të shfaqen 12 filma artistik-fiktivë dhe dokumentarë që ndërlidhen me kryeqytetin e Kosovës.

Përmes një komunikate organizatorët e festivalit kanë bërë të ditur se përzgjedhja prej 12 filmash nga Haziraj, portretizon qytetin dhe rrethinën përmes një reflektimi kinematografik mbi temat sociale, politike dhe historike e poashtu tregimet intime dhe personale.

“’Të fala nga Prishtina’ është kënga e njohur e këngëtarit dhe aktorit Sabri Fejzullahu, e performuar për herë të parë në festivalin e muzikës Akordet e Kosovës, në 1984. Kënga është ftesë poetike për ta eksploruar qytetin e Prishtinës. Frymëzuar nga tema lirike e saj, programi i filmit me të njëjtin titull e zgjeron këtë ftesë me qëllim për ta zgjeruar të kuptuarit e shoqërisë kosovare dhe manifestimet hapësinore të saj përmes veprave kinematografike bashkëkohore”- thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Për dy ditë, sipas njoftimit publiku do të ketë rast të shohë veprat e kineastëve nga gjenerata të ndryshme, duke përfshirë filma artistikë dhe të shkurtër, dokumentarë, video art dhe animacion nga Kosova dhe diaspora.

“City Film Days” është seri ngjarjesh filmike e fokusuar në hapësirat urbane si vende për rrëfime kinematografike.

Festivali “City Film Days” mbahet në kinemanë Moviemento në Berlin në Gjermani.