Të enjten nis Showcase Teatror i Kosovës

Organizuar nga Qendra Multimedia, këtë të enjte, më 31 tetor 2019 nis edicioni i dytë i Showcase-it Teatror të Kosovës.

Edicioni i dytë i Showcase-it do të mbahet në bashkëpunim edhe me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin e Qytetit të Gjilanit dhe Teatrin “Adriana” të Qytetit në Ferizaj.

Në kuadër të Showcase të sivjetëm do të prezantohen 8 shfaqje teatrore, të Qendrës Multimedia, Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe Teatrit “Adriana” të Ferizajt.

Përmes një njoftimi për media Qendra Multimedia njofton se ky edicion do të sjellë në Kosovë edhe rreth 40 mysafirë ndërkombëtarë, selektorë festivalesh ndërkombëtare, kritikë, gazetarë, shkrimtarë, regjisorë e dashamirë të teatrit.

Përveç shfaqjeve, gjatë këtij festivali do të organizohen edhe dy panele diskutimi dhe sesione promovuese të produksionit teatror të Kosovës me qëllim të rrjetëzimit të artistëve.

Një risi e madhe këtë edicion, sipas Qendrës Multimedia është ardhja e aktorit të njohur francez me origjinë shqiptare, Rexhep Mitrovicës, i cili gjatë Showcase-it do të lexojë e diskutojë mbi “Inkuizitorin e madh” së bashku me aktorin poashtu të njohur Arben Bajraktarin.

Kjo ngjarje në Prishtinë vjen si bashkëpunim me kompaninë teatrore Liria në Paris, ndërsa është kuruar nga Simon Pitaqaj.

Edicioni i dytë i Showcase-it 2019, do të zgjas deri më 3 nëntor 2019.

Të bashkangjitur mund të gjeni programin dhe orarin e shfaqjeve të Showcase-it në Prishtinë, Gjilan e Ferizaj.