Ismail Kadare duke marrë një çmim në Kosovë | Foto: KALLXO.com

Të enjten dihet nobelisti i ri i letërsisë, gjasat e Kadaresë për triumf

Të enjten e ardhshme, më 10 tetor 2019, një orë pas mesit të ditës, pritet që Akademia Suedeze e Shkencave, përkatësisht Komiteti i Nobelit për Letërsinë, të shpallë fituesin e sivjetëm të këtij çmimi.

Me shumë gjasa këtë vit do të shpallen dy fitues të këtij çmimi, pasi vitin që shkoi Akademia Suedeze nuk kishte ndarë çmimin.

Tradicionalisht zgjedhja e fituesit të këtij çmimi nga Akademia Suedeze mbahet sekret, dhe gjithë procesi, nga shqyrtimi i nominimeve deri te përzgjedhja e listës së ngushtë dhe përzgjedhja e fituesit mbahet sekret dhe gjithçka mund të dihet vetëm pas 50 vjetëve.

Edhe këtë vit nuk kanë munguar parashikimet rreth fituesve të mundshëm, edhe pse përvojat kanë treguar se ‘bastet’ e ndryshme rreth fituesve të mundshëm kanë dalë të pasakta.

Shkrimtarit Ismail Kadare, sa dihet deri më tani vazhdon të mbetet i vetmi shkrimtar shqiptar në garë për këtë çmim.

Emri i tij vazhdon të përmendet si një prej shkrimtarëve që ka hyrë në listë të ngushtë të shqyrtimit dhe një prej finalistëve të mundshëm. Pavarësisht se gjasat që Kadare të rrëmbej çmimin duken të zbehta.

Megjithatë studiuesit kosovarë të letërsisë japin mendime të ndryshme rreth triumfit të mundshëm të Kadaresë të enjten, më 10 tetor 2019.

Flamur Maloku, studiues i letërsisë

Flamur Maloku, studiues i letërsisë, në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se, duke u nisur edhe nga informacione që vijnë nga shtypi botëror, Kadare do ta ketë të vështirë të triumfojë këtë vit.

Edhe pse, sipas tij, për ne dhe për shumë shtete të botës ai tashmë është nobelist.

“Kadare, pavarësisht se do të na bënte nder ne shqiptarëve po ta fitonte këtë çmim të madh, kjo për mua mbetet dëshirë e tij dhe jona, pasi suedezët, të cilët edhe sivjet janë anëtarë të jurisë, nuk do ta përzgjedhin Kadarenë për t’ia dhënë këtë çmim, por një autor tjetër”, ka thënë ai, duke shtuar se pavarësisht pëlqimeve të jurisë, e meriton këtë çmim.

Maloku ka thënë se Kadare, për 40 e më shumë shtete të botës, është “nobelist”, ani pse ende jo i certifikuar nga juria e Nobelit të Suedisë. Kurse sa u përket zërave shqiptarë që janë kundër që Kadare të rrëmbejë çmimi Nobel, Maloku është shprehur se ata nuk e njohin veprën e Kadaresë.

Fehmi Ajvazi – Studiues

Ndërkaq, studiuesi Fehmi Ajvazi ka potencuar për Kallxo.com se Nobeli për letërsi, konsiderohet si një prej çmimeve më prestigjioze për letërsinë.

Sipas tij, dy specifika bazike të ndarjes së çmimit, e bëjnë atë që të na mbaj në ankth: konkurrenca letrare e cilësisë në mes të krijuesve, dhe besueshmëria që çdo kush ka ndaj nikoqirit që e ndanë çmimin.

“Ndryshe nga herët e kaluara, guxoj ta shpreh optimizmin tim se në këtë vit, fitues do të jetë Ismail Kadare. Jo se kështu dua unë, por gjykoj të them hapur se Kadare e ka rritur volumin krijues, dhe se volumi ‘Kadarean’ nuk ka pësuar aspak rënie për nga cilësia, përkundrazi. Dhe kjo që them, vërtetohet edhe në botimin e tij të fundit: Kur sunduesit grinden!”, ka thënë Ajvazi.

Ndërsa veç Kadaresë, Ajvazi preferon që fitues të çmimit “Nobel” për këtë vit të dalin Milan Kunderes ose Haruki Murakamit.

Sipas ueb faqes zyrtare çmimeve “Nobel” (https://www.nobelprize.org), ky çmim do të ndahet të enjten, më 10 tetor 2019, pas orës 13:00.

Gjithashtu është thënë se këtë vit mund të ketë dy fitues të këtij çmimi, njëri për 2018.

Vitin e kaluar Çmimi Nobel nuk është ndarë për shkak të një serie akuzash për sulmet seksuale të bëra kundër Jean-Claude Arnault, bashkëshortit të anëtares së Akademisë,  Katarina Frostenson.

Si rezultat i këtyre akuzave Akademia Suedeze nuk ndau fare çmimin.