‘Sunny Hill Foundation’ i Dua Lipës pranon qindra aplikime për vizitën shkollore në Los Angeles

Pas hapjes së thirrjes për aplikim nga të rinjtë e talentuar në muzikë (të moshës 13 deri në 17 vjeç), Fondacioni Sunny Hill ka pranuar qindra aplikacione, derisa tre emrat e fituesve do të njoftohen sipas përzgjedhjes direkte të jurisë me bazë në Los Angeles.

Përmes një kumtese për media, ‘Sunny Hill Foundation’ njofton se muajin e ardhshëm, tre të përzgjedhurit nga Kosova të cilët shkruajnë këngë origjinale, i performojnë si dhe i krijojnë ato, do ta kenë mundësinë të jenë në Los Angeles. Aplikimi është bërë online në faqen e ‘Fondacionit Sunny Hill’.

“Fondacioni Sunny Hill do të dërgojë tre performues dhe/apo producentë të rinj dhe të talentuar nga Kosova në Los Angeles – USA, për t’ua mundësuar këtyre talentëve të rinj që të kalojnë vizitën shkollore për një muaj (4 javë) në një nga institucionet më prestigjioze të muzikës  botërore, përkatësisht Institutin për Art dhe Inovacion (OCS Institute of Art and Innovation) të Los Angeles-it”, thuhet në kumtesën e parë për media të lëshuar nga ‘Fondacioni Sunny Hill’, i themeluar nga artistja me famë botërore dhe fituesja e dyfishtë e çmimeve ‘Grammy’, Dua Lipa.

Po sipas kumtesës së Fondacionit Sunny Hill, fituesit do të përzgjidhen dhe trajnohen nga Alyssa Lein Smith nga Quincy Jones Productions, Ulla Sjöström nga Musikmakarna dhe Mary Kay Altizer nga OCS Institute of Art and Innovation.

“Gjatë qëndrimit të tyre në LA përpos trajnimit shkollor, ata do të vizitojnë selinë e Quincy Jones Production dhe të marrin klasë të specializuara (masterclasses) për tu njohur për së afërmi me rrjedhën e industrisë botërore të muzikës, si dhe vizita të shumta interesante sikurse në Disney dhe Universal Studios në Los Angeles”, thuhet në komunikatën e Sunny Hill Foundation’.