Sunny Hill Foundation dhe Komuna e Prishtinës planifikojnë ndërtimin e një hapësire për festivalin ‘Sunny Hill’

Sunny Hill Foundation dhe Komuna e Prishtinës planifikojnë ndërtimin e një hapësirë për organizmin e festivalit “Sunny Hill”.

Hapësira që po shqyrtohet është në Bërnicë të Prishtinës. 

Kërkesa për lokacionin dhe ndërtimin e një hapësire për “Sunny Hill” tashmë është dorëzuar në Komunë e Prishtinës,  nga organizatorët e festivalit.  

Lajmi për mundësinë për ndërtimin e kësaj hapësire është bërë i ditur gjatë një bashkëbisedimi-interviste zhvilluar sot nga themeluesit  e festivalit, këngëtarja kosovare me famë botërore Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti. 

 Ndërsa, gjatë kësaj interviste u tha se ende nuk është asgjë e sigurt sa i përket mbajtjes së edicionit të sivjetmë të festivalit “Sunny Hill”. 

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë gjatë intervistës se hapësirat për organizmin e “Sunny Hill”, do të mund të shfrytëzohet për organizime tjera si: festival të ndryshme, muzike apo filmi,  por edhe për të tjera aktivitete për qytetarët e Prishtinë. 

“Në si Komunë do të dërgojmë projektin për miratim në Kuvend dhe besoj në korrik të miratohet”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se ecuria e këtij projekti varet nga masat rreth coronavirusit. 

Ndërkaq, Dukagjin Lipa, ka thënë se hapësira e “Sunny Hillit” në Bërnicë të Prishtinës do të jetë një hapësirë edhe për aktivitete tjera kulturore për qytetarët e Prishtinës. 

“Kjo hapësirë do të përdoret nga ‘Sunny Hill’ vetëm gjatë kohës sa organizohet festivali, ndërsa në muajt tjerë ajo do të jetë një park në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Lipa. 

Po ashtu, Dua dhe Dukagjin Lipa planifikojnë edhe mbulimin dhe rregullimin e amfiteatrit të qytetit të Prishtinës. 

“Kemi shprehur dëshirë të bëjmë renovimin e amfiteatrit të Prishtinës, përmes Sunny Hill Foundation, përmes një instalacioni. Ideja është me mbulu hapësirën e cila pastaj mund të përdoret për organizime të ndryshme”, ka thënë këngëtarja Dua Lipa.

Më pas kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i është përgjigjur pyetjeve të këngëtares Dua Lipa, e cila kishte marrë edhe pyetje nga shikuesit. Gjatë këtij bashkëbisedimi  nuk munguan edhe lëvdatat për kryetarin Ahmeti rreth menaxhimit të situatës gjatë pandemisë.  

Gjatë bashkëbisedimit kryetari Ahmeti ka lavdëruar këngëtaren Dua Lipa për promovimin që po ia bën  vendit të saj të origjinës, konkretisht Prishtinës dhe kontributin që po jep përmes fondacionit “Sunny Hill”.