Studiuesi Gjoka: Çun Lajçi, mjeshtër i fjalës artistike

Aktori Çun Lajçi ka promovuar sot romanin e tij “Kur fryjnë ernat”.

Vepra më e re e Lajçit, e botuar nga shtëpia botuese “Buzuku”, është promovuar në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Për romanin “Kur fryjnë ernat” kanë folur studiues të letërsisë.

Studiuesi nga Tirana, Behar Gjoka, ka thënë se Lajçi si autori i disa veprave letrare na tregon se nuk është vetëm mjeshtër i fjalës si aktor, por edhe si mjeshtër i fjalës së shkruar, si shkrimtar.

“5 librat me poezi, 2 me rrëfime dhe ky roman na japin shansin që të kuptojmë se Çun Lajçi është njeriu- simbolika e artit dhe botës shqiptar, e fjalës së aktorit dhe mjeshtër i fjalës së shkruar”, ka thënë ndër të tjera Behar Gjoka.

Shkrimtari dhe botuesi Nazmi Rrahmani ka potencuar se plisi në romanin “Kur fryjnë ernat” është simbol i jetës dhe rezistencës me të cilin autori i lidhë të gjitha ngjarjet në këtë vepër.

Ndërsa, Prend Buzhala, studiues, ka pohuar se temat dhe idetë e këtij romani sa janë të karakterizuara nga universaliteti i tyre,  aq janë të karakterizuara nga ngjyresa etnike lokale.

Promovimit është përcjellë me interpretim të sekuencave të librit nga vetë Çunë Lajçi dhe një përshëndetje e interpretim të aktorit Xhevat Limani.

Romani i Çun Lajçit “Kur fryjnë ernat” është prezantuar në panairin e Frankfurtit në Gjermani që u mbajt javën që shkoi.