Spanjolli Fernando Briones, dirigjent i koncertit të nesërm të korit të Filarmonisë
Kori i Filarmonisë së Kosovës do të mbajë nesër mbrëma koncertin e radhës.
Koncerti do të mbahet në kishën katolike “Shën Ndou”, në Prishtinë, nën dirigjimin e spanjollit Fernando Briones.
Koncerti do të fillojë në ora 20:00 ndërsa do të interpretohen kompozime të autorëve të huaj dhe vendas.
Në mungesë të një salle adekuate dhe për të tilla aktivitete, kori i Filarmonisë do të interpretojë në kishë.
Drejtori i këtij institucioni, Baki Jashari, ka thënë se Filarmonia vazhdon të performojë në hapësira të papërshtatshme, duke u detyruar që koncertet e korit t’i mbajë në kishën katolike, e cila, sipas tij, krijon kushte të përshtatshme për koncertet e korit të institucionit që ai drejton.
Jashari ka thënë se në bashkëpunim edhe me dirigjentin është konceptuar një koncert me vepra të kompozitorëve bashkëkohorë të cilët janë shumë aktualë dhe të interpretohen nga kore të ndryshme në botë.
“Pjesë e këtij koncerti do të jetë edhe premiera e veprës ‘Ubi Caritas’, i kompozitorit Hajrullah Syla, dedikuar sopranos Adelina Paloja”, ka thënë Jashari.
Ndërsa, dirigjenti Fernando Briones ka thënë është i kënaqur me basin që i ka dhënë Filarmonia e Kosovës dhe publiku do të shohë një program mjaft të mirë.
“Në natën e nesërme do të ketë një program me krijime mjaft të rëndësishme të kompozitorëve modernë. Gjithashtu do të kemi edhe një premierë të kompozitorit Syla”, ka thënë spanjolli Briones.
Kurse kompozitori Syla ka potencuar se publiku nesër mbrëma do të ketë mundësi të shijojë shumë prej veprave të njohura të kompozitorëve bashkëkohorë.