Spahiu: Koleksioni i veprave të Hotel Grandit ekspozohet në korrik të këtij viti

Muajin e ardhshëm Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapë ekspozitën “Synime” e para për këtë vit.

Ekspozita realizohet në kuadër të bashkëpunimeve në mes të Galerisë Kombëtare të Kosovës (GKK) dhe Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Naim Spahiu, ushtrues i detyrës së drejtorit të GKK-së, në një bisedë për Kallxo.com, ka thënë se përveç ekspozitës “Synime” deri në fund të vitit do të organizohen edhe disa ekspozita tjera.

Gjatë këtij viti, ka thënë Spahiu, është planifikuar edhe hapja e ekspozitës me fondin e veprave të ish Hotel Grandit të cilat muaj më parë u bartën në GKK.

“Koleksioni i Grand Hotelit, është sistemuar në hapësirat e Galerisë dhe në korrik të këtij viti pritet të ekspozohet për audiencën”, ka thënë Spahiu.

Naim Spahiu. Foto; KALLXO.com

Ai tha se në 2021 janë planifikuar të hapet edhe ekspozita e Zharko Basheski, artist nga Maqedonia e Veriut. Kjo ekspozitë hapet në kuadër të bashkimit në mes dy galerive kombëtare të dy vendeve,  e Alban Mujës, Eliza hoxhës dhe Bienala e fotografisë “Gjon Mili”.

U.d. së drejtorit Spahiu ka thënë se fondi i GKK, ka 924 vepra, piktura grafika, skulptura, vizatime, art aplikativ, instalacione, fotografi, pa përfshirë edhe 121 vepra nga koleksioni i Hotel Grandit.

“Gjendja e fondit te GKK-së, nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme, por ka një kujdes të veçantë dhe të trajtuar mirë, duke shpresuar që me krijimin e kushteve, do të përkujdesemi për një investim kapital për zgjerimin e hapësirës dhe trajtimin në mënyrë profesionale, duke krijuar hapësirë edhe për një sektor të restaurimit dhe konservimit”, ka potencuar Spahiu.

Orari i ekspozitave në GKK për 2021:

“Synime”, prill – qershor

Ekspozita e Zharko Basheski, korrik – gusht

“Koleksioni i Grandit”, korrik – shtator

Ekspozita e Alban Mujës, shtator – nëntor

Ekspozita e Eliza Hoxhës, nëntor – dhjetor

Bienalja e fotografisë, “Gjon Mili”, dhjetor 2021 –  shkurt 2022.