Foto: MHK

Sot u mbushën 100 vjet nga fillimi i çlirimit të Vlorës 

Më 5 qershor të vitit 1920 filloi lufta e shqiptarëve për çlirimin e Vlorës.  

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë ka kujtuar 100 vjetorin e fillimit të Lufta së  Vlorës e cila detyroi ushtrinë italiane të tërhiqet dhe bashkimi administrative të qytetit të Vlorës me pjesën tjetër të Shqipërisë. 

Forcat italiane ishin vendosur në Vlorë gjatë Luftës së Parë Botërore.  

Vendimi për fillimin e Luftës së Vlorës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës të mbledhur në Kuvendin e Barçallait më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës Komitetin “Mbrojtja Kombëtare”.  

Qeveria e Tiranës dha ndihmën e vet, pavarësisht se nuk mori pjesë zyrtarisht në luftë. 

“Lufta e Vlorës nisi më 5 qershor 1920 dhe u zhvillua në mënyrë frontale. Përballë ushtrisë së rregullt italiane, që kishte në Shqipëri dy divizione, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arrinin në rreth 4 mijë veta. Më 5-6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet italiane në krahinë, që nga Tepelena e deri në Drashovicë. Sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe rrethinat filloi më 11 qershor. Lufta për marrjen e Vlorës vazhdoi gjatë dhe u zhvillua me mësymje dhe kundërmësymje, në një nga të cilat spikati trimëria e Selam Musait”, kujton MHK përmes Facebook-ut. 

Gjatë Luftës së Vlorës (1920), trupat italiane nuk mundën të çanin rrethimin e forcave shqiptare. Roma u detyrua më në fund të hiqte dorë nga sovraniteti mbi krahinën e Vlorës dhe të nënshkruante me Qeverinë e Tiranës “Protokollin shqiptaro-italian” të 2 gushtit 1920.  

Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini.