Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve

18 Maji është Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Çdo vit në mbarë botën, për shënimin e kësaj dite organizohen aktivitete të ndryshme me qëllim të vetëdijesimit rreth rëndësisë së muzeve në zhvillimet shoqërore, me një temë të caktuar.

Kjo ditë shënohet që nga viti 1977 dhe është themeluar nga Këshilli Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM).

Tema e caktuar nga ICOM për vitin 2021 është “E ardhmja e muzeve: Rijetësimi dhe Riimagjinimi”.

Me aktivitete të ndryshme, kjo ditë do të shënohet edhe në Kosovë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës, do të organizojnë sot ekspozitën “Arka Arkeologjike dhe Etnologjike”.

Ndërsa, nesër po në Muzeun Kombëtar të Kosovës do të promovohet ekspozita e veçantë e koleksionit të figurës qendrore të trashëgimisë muzikore folklorike të ndjerit Shaqir Hoti.