Sot mbyllet ‘DokuFesti’, organizatorët të kënaqur me edicionin online

Edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër mbyllet sot.  Këtë edicion, “DokuFest” është mbajtur tërësisht në versionin online, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Megjithatë, pavarësisht situatës dhe problemeve zinxhirore që ka shkaktuar COVID-19, organizatorët arritën të realizojnë me sukses festivalin.

Linda Llulla, drejtoreshë ekzekutive e “DokuFest” ka thënë për Kallxo.com se edicioni XIX i “DokuFest” ishte i jashtëzakonshëm.

Sipas saj, edhe pse qysh në fillim të muajit prill menaxhmenti i “DokuFestit” ishte i përgatitur për dy versione të festivalit, një hibrid dhe i dyti online, ajo ka thënë se vendimi për ta realizuar festivalin komplet online ishte i vështirë.

“Edhe pse me shumë vështirësi, sidomos për shkak se Kosova nuk posedon IP adresa, ne e realizuam një festival online me shume sukses. Pos filmave, ngjarjet më të shikuara në rrjetet tona sociale ishin debatet dhe peformancat muzikore me më shumë se 59,000 shikues. Suksesi i këtij edicioni online i ka tejkaluar pritshmëritë tona, duke u bazuar në gjendjen ekonomike të qytetareve dhe gjendjes se krijuar nga pandemia, kemi pasur diku rreth 10,000 viziotorë vetëm për filma”, ka thënë drejtoresha Llulla.

Tradicionalisht, “DokuFesti” mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por edhe nga Komuna e Prizrenit. MKRS për këtë edicion ka dhënë 20 mijë euro. Po aq edhe Komuna e Prizrenit

“MKRS e ka nda shumën maksimale për ‘DokuFest’ në vlerë prej 20.000 eurove, por edhe Departamenti i Trashëgimisë në kuadër të  MKRS edhe 10.000 tjera. Mjetet ende nuk i kemi marre as nga Ministria e as nga Komuna. Me vite ne kemi apliku për shuma më të mëdha për festival nga MKRS, por aty ekziston një rregull që shuma maksimale e subvencionimit është 20,000, ndoshta është kjo një gjë që duhet të diskutohet dhe për të cilën duhet që të gjithë së bashku me lobu për ta ndërruar Ky rregull vlen edhe për Drejtorinë e Kulturës se Prizrenit.”, ka thënë Llulla.

Sipas statistikave të bëra në edicionet e kaluara “DokuFesti” i ka sjellë qytetit të Prizrenit mijëra turistë me një impakt ekonomia prej miliona eurove.

“Vitin e kaluar ‘DokuFest’ ka sjell në Prizren diku rreth 50,000-60,000 njerëz, ku impakti ekonomik i matur në 2015 ka qenë më shumë se 5.000.000 euro e Komuna jone i ndanë vetëm 20,000 për një ngjarje kulturore prej të cilës fiton shumë më shumë”, ka thënë drejtoresha Ekzekutive e “DokuFestit”, Linda Llulla për Kallxo.com.

Edicioni i sivjetmë i “DokuFestit”, i 19-ti me radhë është mbajtur nga 17 deri më 25 gusht 2020. Për shkak të COVID-19 ky edicion është zhvilluar tërësisht online.

Gjatë këtij edicioni janë shfaqur rreth 50 filma dhe një numër i konsiderueshëm debatesh dhe ngjarjesh tjera, sikur ato të muzikës.