Sot hapet ekspozita ‘Grandart 1970- 2000’ 

Koleksioni i veprave artistike të Hotel “Grand” në Prishtinë ekspozohet sot në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në kuadër të ekspozitës, “Grandart 1970- 2000”. 

Ceremonia e hapjes së ekspozitës do të bëhet në orën 19:30, ndërsa për herë të parë publiku do të ketë mundësi të shohë disa nga perlat e mjeshtërve të mëdhenj të artit pamor kosovar. 

Në kuadër të kësaj ekspozite, që është kuruar nga Zeni Ballazhi, do të ekspozohen, piktura, skulptura, tapiceri e vepra artizanale. 

Partnerë të kësaj ekspozita janë KALLXO.com, Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës. 

Në dhjetor të 2020-ës, Qeveria e Republikës së Kosovës nxori vendimin nr. 07/52 për shpronësimin e veprave artistike, të cilat gjendeshin në hapësirat e “NewCo Grand Hotel”, sh.p.k.. 

Ndërsa, më 21 janar 2021 është bërë pranim-dorëzimi i veprave artistike nga Agjencia Kosovare e Privatizimit te Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, përkatësisht tek Galeria Kombëtare e Kosovës.