Sonte në Londër do të bëhet ndarja e çmimeve BAFTA

Sonte në Londër do të ndahen çmimet e Akademisë Britanike për kinematografi, BAFTA, në një ceremoni pa prezencën e publikut për shkak të pandemisë COVID-19.

Favoritët e këtij viti janë filmat “Nomadland” dhe “Rocks”, të cilët kanë marrë më së shumti nominime, shtatë për secilin prej tyre. 

“Nomadland” nga regjisorja kineze Chloe Zhao, e cila tashmë është vlerësuar me Globin e Artë, u nominua në kategorinë si filmi më i mirë.

“The Father” me Anthony Hopkins në rolin kryesor të një të moshuari i cili zhytet në një çmenduri, u nominua gjithashtu në këtë kategori.

Filmi “Rocks” nga regjisorja britanike Sarah Gavron u nominua, ndër të tjera, për rolin më të mirë dytësor për aktoret gra.  

Filmat “Mank”, “Minari”, “The Father” dhe “Promising Young Woman” morën nga gjashtë nominime.

Në kategorinë e filmit më të mirë të huaj, nominimi i takoi filmit francez “Les Miserables” me regji të Ladj Ly, i cili ka të bëjë me një histori rreth një rrëmuje policie në një lagje të ndjeshme në periferi të Parisit.

Çmimet BAFTA, si dhe Shoqata e Producentëve të Amerikës (PGA), Shoqata e Regjisorëve të Amerikës (DGA) dhe Çmimet Golden Globe, shpesh janë tregues të besueshëm se kush mund ta fitojë çmimin “Oskar” për këtë vit, ceremonia e të cilit do të mbahet me 25 prill në Los Anxhelos.

BAFTA u themelua në vitin 1947 si Akademia e Filmit Britanik. Themeluesit e tij ishin një numër artistësh të famshëm të kinematografisë, përfshirë David Lean, Carol Read, Alexander Cord (Alexander) dhe Lawrence Olivier. Qëllimi i organizatës ishte forcimi i industrisë së filmit, e cila pësoi një rënie pas Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 1958 kjo akademi u bashkua me Organizatën e Regjisorëve dhe Producentëve për t’u shndërruar përfundimisht në BAFTA, Akademia Britanike e Arteve të Filmit dhe Televizionit, në vitin 1976.

Vitin e kaluar çmimi për filmin më të mirë i takoi filmit  “1917” me regji të Sam Mendes, i cili në ceremoninë e Golden Globe 2020, është shpërblyer me dy çmime: për dramën më të mirë dhe regjinë më të mirë. 

Po ashtu, për ceremoninë e Çmimeve Oscar të mbajtur në shkurt të vitit 2020, filmi “1917” ishte i nominuar në gjithsej nëntë kategori dhe ka fituar tri çmime Oscar.