Foto: Salman Rushdie/ Facebook

S'ka urdhër ndalimi të “Vargjeve satanike” – India në hall me lexuesit e Rushdie

A është legale të importohen ekzemplarët e “Vargjeve satanike” të Salman Rushdie në Indi?

Kjo pyetje e ngritur ka sfiduar edhe ekspertët e së drejtës prejse një gjykatë e lartë në Indi sugjeroi gjatë javës se njoftimi për ndalimin e importit të veprës së shkrimtarit me famë botërore – i nxjerrë më 1988 – më nuk mund të jetë i vlefshëm, meqë qeveria nuk ka mundur ta ofronte vendimin e shkruar, ka shkruar BBC më 08.11.2024 pas debatit në të cilin është përfshirë shumëkush në shtetin e madh aziatik.

“Vargjet satanike”, që nga shumë myslimanë është konsideruar si blasfemi ishte ndaluar në Indi menjëherë pas botimit të tij, duke shkaktuar protesta në mbarë vendin. Ajetollahu i Iranit, Khhomeini, kishte lëshuar një fatva më 1989, duke bërë thirrje për vrasjen e shkrimtarit Rushdie. Kjo detyroi shkrimtarit e lindur si indus, autor i Çmimit Booker, që të jetonte në fshehtësi për dekada me radhë.

Megjithëse libri vazhdon të mbetet zyrtarisht i ndaluar në Indi, disa ekspertë të së drejtës tani besojnë se vepra mund të importohet derisa qeveria nuk merr një vendim tjetër për ta vazhduar ndalesën. Të tjerët, megjithatë, paralajmërojnë se pengesat praktike ende janë në fuqi.

Ndalimi i veprës ishte vënë në dyshim dhe shkaktoi debat pasi Sandipan Khan, banor nga shteti i Bengalit Perëndimor, ishte munduar ta blinte librin, por kishte marrë vesh se nuk ishte publikuar në Indi dhe se nuk mund të importohej.

Më 2017, ai dorëzoi një ankesë bazuar mbi të Drejtën e Informimit për njoftim zyrtar për ndalimin e importimit të librit, por kishte kaluar nëpër një mal procedurash e departamentesh për ta gjetur.

Khan e çoi rastin edhe në një gjykatë të lartë në kryeqytetin e Indisë më 2019, duke argumentuar se vendimi ndikonte lirinë e tij për të lexuar.

Për pesë vjet, departamentet qeveritare dështuan që të jepnin ndonjë njoftim zyrtar, pavarësisht se të dhëna të ngjashme kishte edhe për vendime që ishin marrë edhe më 1968.

Më në fund më 5 nëntor, gjykata ka deklaruar se nuk kishte opsion tjetër pos të prezumonte se nuk ekziston një vendim ndalimi dhe rrjedhimisht nuk mund ta vlerësonte vlefshmërinë e tij.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com