Simpatizanti i LDK-së avancohet në ministrinë e Vlora Dumoshit

Imer Hakaj është emëruar drejtor i Departamentit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore (DITK) të Ministrisë së Kulturës.

Hakaj ka dalë kandidati më i suksesshëm në konkursin për zgjedhjen e drejtorit të DITK-së.

Imer Hakaj ka shumë vjet që punon në Ministrinë e Kulturës, në Departamentin e trashëgimisë kulturore.

Ndërsa është edhe një fans i LDK-së, sidomos i ish -presidentit Ibrahim Rugova, çka e ka dëshmuar edhe në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Në garë për të parinë Departamentit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore përveç Hakajt ishin edhe Artan Hoxha dhe Berat Hadri.

Zyrtarë të MKRS-së janë treguan të heshtur në kërkesën e KALLXO.com për konkursin për zgjedhjen e drejtorit të DITK, emrat e kandidatëve konkurrues dhe komisionit përzgjedhës.

“Fatkeqësisht nuk mund tu kthejmë përgjigje sot”, ishte përgjigja e shkurtër e MKRS-së për KALLXO.com.

Megjithatë, KALLXO.com ka marrë vesh se komisioni që ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve ishte në përbërje të Veton Firzit, kryetar i komisionit dhe sekretar i përgjithshëm në MKRS, Rozafa Ukimeraj nga MAPL, Izedin Bytyçi nga MIA, Refike Sulcevsi nga KAP-i dhe Vjollca Aliu nga Departamenti i Trashëgimisë i MKRS-së.

Edhe drejtori i ri i DITK në MKRS, Imer Hakaj nuk është përgjigjur në interesimin e KALLXO.com për lidhjet e tij me LDK-në deri në momentin e publikimit të shkrimit.

Hakaj vjen nga Istogu. Zyrtarë të LDK-së atje kanë mohuar që ai të këtë apo mban post në LDK-në e Istogut.

“Jo, jo nuk mban ndonjë post, as në Këshill të Përgjithshëm nuk ka qenë ndonjëherë. Mund të ketë qenë farë delegati nëpër kuvende (Istog)  po nuk e di të jetë në ndonjë degë aktive”, ka thënë për KALLXO.com, Haki Rugova, kryetar i degës së LDK-së në Istog.

Drejtori i deritashëm i DITK-së ishte Shkëmb Manaj, tani deputet nga LDK-ja në Kuvendin e Kosovës.

 

 

Foto:Facebook
Foto: Facebook