Shtyhet për në gusht mbajtja e edicionit të 12-të të ‘PriFestit’

Menaxhmenti i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, “PriFest”,  ka bërë të ditur se ka shtyrë për në gusht të këtij viti organizimin e edicionit të 12-të të këtij festivali.

Edicioni i 12-të i “PriFestit” është paraparë të mbahet nga 14 deri më 19 korrik të këtij viti.

Përmes një njoftimi, menaxhmenti i “PriFestit” njofton se një pjesë të festivalit që planifikohej të mbahej në mënyrë fizike, ta shtyje për data 25-30 gusht 2020, për shkak tërritjes drastike të të infektuarëve me COVID-19.

Ndërkohë që “PriForum”, platforma regjionale e industries se filmit, që është paraparë të mbahet online do të mbahet në datat e parapara, 17-19 korrik 2020.

“’PriFest’ ka punuar intenzivisht në muajt e kaluar për të bërë përzgjedhjen e filmave dhe programet e ndryshme në mënyrë që të realizojmë festivalin në korrik. Ne ishim të mendimit që shfaqjen e filmave ta bënim në hapësirë nën qiellin e hapur, me një kujdes të shtuar dhe duke rrespektuar masat e mbrojtjes. Mirëpo, lajmet shume dekurajuese se pandemia ka filluar të përhapet me të madhe, na bëri që të marrim vendim ta shtyjmë datën e mbajtjes së festivalit pasi që duhet të jemi të kujdesshëm që mos të rrezikojmë mirëqenien e qytetarëve në asnjë mënyrë”,  thuhet në njoftimin e “PriFestit”.