ShSTKK: Në Tiranë u rrënua simboli dhe frymëzimi historik i artit skenik shqiptar

Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka reaguar ndaj rrënimit të objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë. 

Përmes këtij reagimi ShSTKK-së dënon fuqishëm aktin e shembjes të godinës së Teatrit dhe dhunën e përdorur kundër artistëve e aktivistëve, mbrojtës të këtij monumenti. 

“Skena të tilla, të rikthejnë në kujtesë ngjarjet e shekullit të kaluar, kur sistemet diktatoriale orvateshin të mbijetonin duke përdorur shfrenueshëm aparatin e dhunës mbi popujt liridashës, të cilat akte janë të papranueshme të ndodhin në shekullin e 21, në një vend që pretendon të aderoj në Bashkimin Evropian, union ky i përbërë nga shtetet me demokracitë më të përparuara të botës.  Akti i goditjes dhe zvarritjes në errësirën i artistëve: Edmond Budina, Neritan Liçaj, Robert Budina, Mehdi Malka etj, të krijon imazhin surreal të skenave të dhunshme në produksionet filmike, ku simulimi i dhunës përdoret për ta vetëdijesuar publikun nga pasojat që ajo ka, por përdorimi i sajë si mjet sot mbi artistët dhe tempullin ku ata shpërfaqnin artin e tyre, është jashtë ç’do realiteti të pranueshëm njerëzor dhe qytetërues”, thuhet në reagim.  

Fatkeqësisht, thuhet më tej në reagimin e TKK-së, e tërë kjo dhunë u përdor për shembjen e një vepre shpirtërore dhe historike, e cila është marrë nën mbrojtje nga organizatat më prestigjioze që merrenruajtjen e trashëgimisë kulturore në kontinent, si Evropa Nostra. 

Po sipas ShSTKK-së, paradoksalisht para pak vitesh drejtuesit e pushtetit në Shqipëri, më arsyetimin e rikthimit të kujtesës historike, transferuan disa bunkerë nga kodrat përrreth në qendër të Tiranës. Ndërkohë, siç konkludon më tej ShSTKK-ja që në emër të “ngritjes së modernes” të njëjtit pushtetarë që dje sollën reliktet e diktaturës pranë saj, sot zhbënë simbolin e frymëzimit kulturor dhe historik të artit skenik shqiptar. 

Shembja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë është sulm mbi trashëgimin, kulturën dhe historinë materiale të vendit e ku në mungesë edhe të sajë, shqiptarët do të vazhdojnë ta pasqyrojnë historinë e tyre nëpërmjet burimeve tjetra dytësore. Sot më shembjen e kësaj godine u rrënua një simbol i papërsëritshëm historik, por u ringrit shpirti liridashës i një vendi, i cili u ushqyer pa reshtur për dy vjet më radhë, nga qendrestarët e kësaj kauze”, thuhet në reagimin e ShSTKK-së.