SHSATKK-së shtyn për 15-ditë grevën e paralajmëruar për 1 nëntor 2024
Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës (SHSATKK) e ka shtyrë për 15- ditë fillimin e grevës së përgjithshme të punëtorëve të këtij teatri, e paralajmëruar se do të fillonte nga data 01.11.2024.
Përmes një komunikate, SHSATKK ka thënë se me këtë shtyrje do t ‘i japë kohë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), për të shqyrtuar dhe realizuar kërkesat e tyre.
“Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës njofton se greva e planifikuar për sot do të shtyhet për një periudhë prej 15 -ditësh. Ky vendim është marrë me qëllim për t’i dhënë kohë Ministrisë së Kulturës për adresimin e kërkesës tonë legjitime për ekuivalentim të pagave sipas detyrave të punës dhe kategorizimit përkatës të artistëve bartës të repertorit të Teatrit Kombëtar. Nëpërmjet këtij hapi, artistët shfaqin vullnetin për të ndjekur një rrugë konstruktive në harmoni me hapat ligjor sindikal”- thuhet në komunikatën e SHSATKK, të lëshuar më 01.11.2024, nënshkruar nga kryetarja Sheqerie Buçaj.
SHSATKK pret zgjidhje në kërkesat e saj, në të kundërtën, siç thuhet në komunikatë, greva mbetet mjeti i fundit, nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh.
Më 16.09.2024, SHSATKK bëri të ditur se punëtorët e TKK-së nisën një aksion sindikal, me kërkesë për rritje pagash (ekuivalentim të pagave) shkallë – shkallë, fillimisht me një vonesë prej 10 minutash për provat, e më pas më 14.10.2024, me shtyrjen për një orë të dhënies së shfaqjes “1984” në kuadër të Festivalit “Skupi International Theatre Festival 2024” në Shkup.
SHSATKK pati njoftuar se nëse deri më 1 nëntor 2024, MKRS nuk i përgjigjet kërkesave të tyre, atëherë do të hyjnë në një grevë të përgjithshme duke paralizuar punë në TKK.
Paralajmërohet bllokimi i punës në Teatrin Kombëtar të Kosovës nga 1 nëntori
Paralajmërohet bllokimi i punës në Teatrin Kombëtar të Kosovës nga 1 nëntori