Shpallet thirrja për zgjedhjen e artistëve kosovarë për në Bienalen e Venedikut 2022

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur ftesë publike për përzgjedhjen e artistëve- kuratorëve të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në edicionin e 59-të të Bienales së Artit në Venedik, në 2022.

Thirrja, sipas MKRS-së është e hapur për projekt të përbashkët artist-kurator, për realizimin e një ose me shumë veprave të reja artistike, që prezantohen në pavijonin zyrtar të Republikës së Kosovës.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall ftesë publike për artistë dhe kuratorë për përfaqësim të Republikës së Kosovës në Edicionin e 59-të të Bienales së Artit në Venecia, që do të hapet për publikun më 23 prill 2022”, thuhet në njoftim.

Kuratore e edicionin e 59 – të Bienales së Venedikut për 2022 është caktuar artistja, Cecila Alemani, e cila për këtë vit ka zgjedhur temën me titull “Qumështi i ëndrrave” (Il latte dei sogni).

Afati për aplikim është 3 javë nga data e publikimit të ftesës.