Shpallen fituesit e Fest RTSH

Këngëtarja Arilena Ara është shpallur fituese e edicionit të 58-të të  Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, që u mbyll në orët e vona të ditës së djeshme.

Më këtë këngë Ara do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës që vitin që vjen mbahet në Holandë.

Kënga “Shaj” e kënduar nga Ara ka triumfuar në mesin e 12 këngëve që u prezantuan në natën  finale të Fest ’58-të, duke rrëmbyer kupën e festivalit. Vendin e dytë e mori Elvana Gjata me këngën “Me tana”, ndërsa të tretin Sara Bajraktari me këngën ‘Ajër”.

Në natën finale të Festivalit të 58-të të Këngës në RTSH janë prezantuar 12 këngë të përzgjedhur në mesin e 20 këngëve konkurruese që ishin përzgjedhur për edicionin e sivjetmë të festivalit.

Edicioni i 58-të i Këngës në RTSH është mbajtur për tri ditë me radhë në Pallatin Kongreseve në Tiranë. Dy gjysmëfinalet janë mbajtur të enjten dhe të premten e shkuar, me prezantimin e nga 10 këngëve. Ndërsa nata finale është mbajtur dje në mbrëmje ku janë prezantuar 12 finalistë.

Edhe në natën e fundit të Fest 58-të u prezantuar emra të njohur të muzikës shqiptare e të huaj, si Ema Qazimi, Eleni Foureira, apo kantautori italiane Giusi Ferreri.