'Shota' merr pjesë në festivalin folklorik në Korenë e Jugut

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” udhëton nesër për në Seul të Koresë së Jugut, ku do të marrë pjesë në festivalin “Cheonean Folkore and Dance Festival”.

Festivali korean i folklorit do të mbahet nga data 25 deri më 29 shtator dhe ka karakter garues.

Përmes një njoftimi për media, menaxhmenti i ansamblit “Shota” njofton se pjesë e edicionit të sivjetmë të këtij festivali do të jenë edhe ansamble nga 17 vende të ndryshme të botës.

“Festivali i cili përveç garës kryesore të performancës së përgjithshme,  përfshinë edhe kategori tjera garuese në: defile në rrugë dhe performanca individuale, është njëkohësisht mundësi e shkëlqyeshme qe bota të njihet me kulturën shqiptare përmes “Shotës””, thuhet në komunikatën e “Shotës”.

Në këtë festival “Shota” prezantohet për herë të dytë pas pjesëmarrjes që kishte pasur në vitin 2011, në të cilën është nderuar me çmimin e tretë.

Pjesëmarrja e ansamblit “Shota” në edicionin e sivjetmë të këtij festivali në Seul vjen pas performancës së suksesshme në festivalin e madh të folklorit në Büyükçekmece të Turqisë, në të cilin ansambli është nderuar me çmimin e dytë.