Promovimi i librit 'Libri i burgosur- Gjarpinjtë e gjakut’. Foto: KALLXO.com.

Shoqata e të Burgosurve kujton Adem Demaçin në 4 vjetorin e vdekjes

Sot janë mbushur 4 vjet nga vdekja e Adem Demaçit, njërit nga aktivistët më të njohur të Kosovës, që një pjesë të madhe të jetës së tij e kishte kaluar në burgjet e regjimit serb.

Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës ka organizuar sot disa aktivitete në kujtim të Demaçit, ku fillimisht u promovua libri i Selatin Novosellës, “Libri i burgosur- Gjarpinjtë e gjakut”.

Ky libër përmban shkrime  e recension të autorëve të ndryshëm që janë shkruar për Adem Demaçin.

Ish-të burgosur politikë, kolegë e studiues, thanë gjatë këtij promovimi, që u mbajt në selinë e SHBPK-së në Prishtinë, se Demaçi dha kontribut të shumanshëm për Kosovën.

Shkrimtari Hidajet Hyseni, po ashtu ish- i burgosur politik, tha për KALLXO.com se figura e Adem Demaçit përfaqëson një rilindje të vazhdueshme.

“Kësaj radhe e shënuam përvjetorin e Demaçit, jo me fjalime, por veprën e tij, shkrimet, vizioni e porositë e Demaçit mbeten gjithmonë vlerë aktuale e paravajtëse”, tha Hyseni.

Ai tha se romani i Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” ishte frymëzues edhe për ata që nuk patën mundësi ta lexonin.

“Demaçi është figurë emblematike dhe nuk ishte nga ata që priste t’i bëjnë propagandë e elozhe. Vepra e tij flet; sakrifica, konsistenca e vizioni i tij flet vetë”, tha ai për KALLXO.com.

Ndërsa, studiuesi Begzad Baliu, tha gjatë promovimit se ne ende nuk kemi një monografi të vetme të rëndësishme për jetën dhe veprën e Demaçi.

“Studimet për jetën dhe veprën letrare të atdhetarit dhe letrarit, Adem Demaçi, ende nuk janë bërë objekt i temave të magjistraturës e doktoratës në institucionet tona akademike. Ende nuk janë bërë objekt i monografive shkencore në Institutet shkencore albanologjike, kulturore, historike dhe politike, ndërkohë që vepra e tij mund të bëhej degë e veçantë specializimi në këto qendra me përvojë të madhe shkencore, të themeluara falë përpjekjeve dhe flijimeve të tij për lirinë e Kosovës”, tha ai.

Kurse, Adem Nimani, tha se Demaçi është institucion në vete dhe duhet të trajtohet i tillë.

“Brezi i ri mund të merret me studimin e veprës së Demaçit. Promovimet të tilla të mbahet me studentë dhe porositë e tij të përcjellën tek të rinjtë”, tha ai

Selatin Novosella, autori i libri tha gjatë promovimit se nga 1994 i është përkushtuar hulumtimit dhe studimit të veprës së Adem Demacit.

“Deri tash kam identifikuar 35 botime dhe ribotime të Adem Demaçit, duke përfshirë edhe në gjuhë të huaja, 30 monografi e vepra enkas për Adem Demaçin, kanë identifikuar dhe botuar një përmbledhje me rreth 170 poezi për Demaçin, duke përfshirë edhe 30 këngë për të dhe 11 mijë faqe material për të në institucione arkivore e shkencore”, tha Novosella.

Homazhe për të nderuar kujtimin e Demaçit janë bërë edhe tek varri i tij dhe në Sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë.

Adem Demaçi ishte shkrimtar dhe veprimtar i njohur politik. I njohur edhe si Mandela i Ballkanit. Ai u dënua me 28 vjet burgim nga ish-sistem komunist jugosllav për veprimtarinë politike.

Mbështeti UÇK-në në luftën e saj kundër forcave okupuese serbe dhe për një kohë kreu edhe detyrën e përfaqësuesit politik të kësja organizate.

Në kuadër të kontributit të tij patriotike hynë edhe krijimtari letrare. Romani i tij, “Gjarpinjtë e gjakut” konsiderohet si një ndër veprat më me ndikim të kohës, pavarësish se ai ishte i ndaluar nga regjimi komunist.

Për kontributin e tij në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe lirive qytetare ai u nderuar me çmimin e Parlamentit Evropian ‘Saharov’. Për disa vite ai drejtoi Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës.

Adem Demaçi ka vdekur më 26 korrik 2018 në Prishtinë.

Promovimi i librit ‘Libri i burgosur- Gjarpinjtë e gjakut’. Foto: KALLXO.com.

 

Ballina e librit ‘Libri i burgosur- Gjarpinjtë e gjakut’. Foto: KALLXO.com.