Librat - Foto: KALLXO.com

Shkrimtarët japin alarmin për gjendjen e letërsisë për fëmijë  

Letërsia shqipe për fëmijë në Kosovë po hyn në dekadën e dytë më të keqe, që nga fillet e saja pas Luftës së Dytë Botërore. 

Përveç rënies së cilësisë artistike, mbështetjes simbolike institucionale, kjo letërsi ende nuk po mund ta krijojë një brez të ri të krijuesve për fëmijë. 

Për shkak të kësaj gjendje, gjithnjë e më shumë kësaj letërsie po i rrallohen edhe lexuesit.  

Vazhdimësinë e saj kjo letërsi po e mbështet, kryesisht në disa emra eminent të saj dhe ndonjë krijuesi të ri. 

Shkrimtarët dhe studiuesit e letërsisë për fëmijë kanë thënë për Kallxo.com se ka një rënie të përgjithshme të zhvillimit të krijimtarisë letrare për fëmijë.  

Keq, sipas tyre, qëndron edhe puna e përkthimit të letërsisë sonë për fëmijë në gjuhëe e huaja. 

Pa brez të rinj shkrimtarësh 

Xhevat Syla, shkrimtar për fëmijë dhe koordinator i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë, “Agim Deva”, ka thënë për Kallxo.com se zhvillimi i letërsisë së sotme për fëmijë lë për të dëshiruar. 

Sipas tij, letërsia jonë për fëmijë ka mbetur pa disa prej emrave eminent të saj dhe ende nuk e ka arritur të ketë një brez të ri krijuesish. 

“Numri i shkrimtarëve për fëmijë që merret ekskluzivisht me letërsinë për fëmijë është i paktë. Prandaj, brengosëse është fakti se për vite më radhë nuk kemi paraqitje të një brezi të ri, i cili do të mund të quhej brez në kuptimin e një numri më të madhe  krijuesish që i duhen letërsisë për fëmijë.  Kemi individualitet, krijues të rinj që krijojnë, po numri i tyre është i vogël”, ka thënë Syla. 

Syla ka thënë se krijuesit po bëjnë përpjekje që ta mbajnë gjallë letërsinë për fëmijë. 

“Në kuadër të karvanit për fëmijë ‘Agim Deva’ me të cilin kemi zhvilluar aktivitete të shumta, do të përpiqemi që edhe këtë viti, pavarësisht nga COVID- 19 të zhvillojmë aktivitete nëpër shkolla, ta afirmojmë librin tek nxënësit  dhe t’i trimërojmë talente e reja që t’i përkushtohen krijimtarisë letrare për fëmijë”, ka potencuar shkrimtari Syla. 

Ikja e lexuesve të vegjël  

Munish Hyseni, drejtor i Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, ka thënë  për Kallxo.com se letërsia për fëmijë po përjeton një rënie të dukshme të zhvillimit të saj. Sipas tij, edhe kërkesat për veprat e krijuesve shqiptarë janë dukshëm më të vogla në krahasim me shkrimtarët e huaj. 

“Kur flas për letërsinë shqipe, kërkohet Erinë Rrahmani, Viktor Canosinaj dhe një pjesë e shkrimtarëve që janë si obligime shkollore, por kërkesat më të mëdha janë për letërsinë e përbotshme”, ka thënë Hyseni. 

Për më keqe, sipas tij, viteve të fundin ka rënie të interesimit të fëmijëve dhe të rinjve për lexim në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani”. 

“Çuditërisht numri i lexuesve në bibliotekën e qytetit, po flas për fëmijë e të rinj, është zvogëluar në krahasim kur keni qenë në objektin e vjetër”, ka pohuar drejtori Munishi. 

 Çështja e përkthimit 

Anton Nikë Berisha, studiues dhe shkrimtar për fëmijë, ka thënë se letërsia jonë për të vegjlit dhe të rinjtë nuk është në rrafshin që dikur ka qenë. 

Kjo sipas tij, po ndikon në mos përkthimin e saj në gjuhë të huaja. 

“Është e vështirë të flasësh për shkaqet që e kanë sjellë në këtë gjendje këtë letërsi. Por, disa nga veprat për fëmijë që i kam lexuar kohëve të fundit nuk janë në atë rrafshin do të duhet të ishte letërsia jonë për fëmijë. Sa i përket përkthimit në gjuhë të huaj, kjo lidhet me cilësinë, por edhe mos interesimin e organeve përkatës”, ka thënë Berisha. 

Mjerisht, shton ai, “…kohëve të fundit kemi një kaos rreth përkthimin të veprave të letërsisë sonë për fëmijë për t’ua paraqitur të huajve”, ka pohuar  

Ka disa raste, shton ai, kur vetë autorë interesohen për përkthimin e veprave të tyre, por fatkeqësisht atë ditë që botohet ai libër vdes, sepse nuk e lexon askush.  

Megjithatë, shton ai, ka mjaft autorë krijimtaria e të cilëve mund të matet me atë të vendeve të huaja. 

“Është mëkat i madh që ndonjë  vepër si e Rifat Kukajt Agim Devës e autorë të tjerë nuk përkthehet në gjuhë të huaja, sepse këto vepra kanë çka t’i ofrojnë lexuesit të huaj”, ka pohuar shkrimtari Anton Nikë Berisha.