Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

'Shkama' vendos luftën e familjeve për të pagjeturit përballë ‘pasluftës’ për pushtet - VIDEO

Reshjet e shiut nuk e ndaluan shfaqjen e dramës “Shkama”, që përmes tre aktorëve e shumë simbolikave, arriti ta përçoj dhimbjen dhe revoltën e familjeve kosovare për fatin e të pagjeturve të luftës së fundit.

Në një skenë të hapur mes fshatit Kukaj, në natën e parafundit të EtnoFestit u dha kjo shfaqje nën regjinë e Fadil Hysaj.

Skena e adoptuar në një hapësirë ku jetojnë një nënë e një baba, të cilët e kanë humbur të birin në luftë, shpërfaqi realitetin e familjeve, që më shumë se dy dekada presin zbardhjen e fatit të të dashurve tyre të zhdukur.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

I pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti për KALLXO.com tha se në këtë  shfaqje e gjejmë  realitetin tonë.

“Mbase edhe më shumë se sa e gjejmë në lajmet e njoftimet e ndryshme mediale, për shkak se Fadil Hysaj dhe loja e tre aktorëve e posaçërisht e Sheqerie Buçajt, hyn aq thellë në tragjedinë që vazhdon me më shumë ankth se sa pikëllim, sa që e trondit çdo njeri që e sheh. Mua më pati ngelur merak që nuk e pata parë këtë shfaqje kur u dha në Teatrin Kombëtar. Në “EtnoFest” kam ardhur për çdo vit dhe aq e rëndësishme mu bë që të vijë sivjet. Nuk i kam parë ekspozitat dhe aktivitetet e tjera, mirëpo edhe vetëm për këtë shfaqje që ishte sonte këtu, ia vlejti”, u shpreh Kurti për KALLXO.com.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përmes simbolikave të shfaqjes, u pasqyrua pakënaqësia e familjeve me realitetin e pasluftës si zvarritjen institucionale për të pagjeturit, neglizhimin e busteve për heronjtë, për çështjen ndaj avancimit në pozita politike të figurave të luftës, luftën për karrigen e pushtetit.

“Ka shumë gjetje të mira regjisoriale, prej lidhjes së flisë e flijimit, e deri te plaku i cili hip në karrigen e kryetarit me këmbë dhe prej atje sheh shumë larg, pa çka se mund të mos i pëlqej ajo që e shikon”, tha Kurti.

Zvarritja për të pagjeturit, e përcjellur përmes dhimbjes së nënës që është në pritje të djalit të saj, vuri në pah edhe njëherë luftën e saj për ekzistencë, por në pritje.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti tha që problemi më i madh që po e ngadalëson zbardhjen e një mijë e 632 të pagjetur në Kosovë, është mungesa e qasjes në arkiva të Serbisë.

“E vërteta gjendet në arkivat e shtetit serb të cilët ata nuk po i hapin, mirëpo me bashkësinë ndërkombëtare në njërën anë, por edhe me një bashkëpunim institucional të vendit tonë në anën tjetër, besoj që do të mund të bëjmë më shumë në mënyrë që ata të cilët ende nuk janë kthyer të kthehen. E di që kjo është një plagë që koha nuk e mbyll, mirëpo nuk është bërë edhe gjithçka që është e mundur në këtë aspekt, meqenëse në njërën anë kemi humbur kohë pa angazhim të mirëfilltë dhe në anën tjetër kemi përballë një shtet që vazhdon ta konsideroj popullin tonë dhe republikën tonë dhe shtetin tonë në mënyrë armiqësore”, tha ai.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas shfaqjes nata përfundoi nën atmosferën e diskutimeve për shfaqjen.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com