Pamje nga shfaqja ‘a.y.l.a.n’. Foto: TGJ.

Shfaqja e ‘Teatrit të Gjilanit’ fiton çmimin kryesor në një festival në Poloni

Shfaqja “a.y.l.a.n”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt, prodhim i Teatrit të Gjilanit, ka fituar çmimin kryesor në festivalin “Kontrapunkt 56” të Polonisë.

Shfaqja e Teatir të Qytetit të Gjilanit ka fituar Çmimin kryesor të Jurisë (Grand prix) të festivalit në vlerë prej 10,000 PLN.

Menaxhmenti i Teatrit të Gjilanit, përmes Facebook-ut ka konfirmuar suksesin e shfaqjes në tyre në Poloni.

“Lajm i jashtëzakonshëm, shfaqja ‘a.y.l.a.n’ nga Jeton Neziraj, regjisore Blerta Neziraj, prodhim i Teatrit të Gjilanit, fiton çmimin kryesor në Festivalin ‘Kontrapunkt 56’ në Poloni”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Gjilanit në Facebook.

Ndërkaq nga juria e festivalit, shfaqja “a.y.l.a.n.” është vlerësuar për performancën mjeshtërore të dramaturgjisë në raport me temën tejet të vështirë, që është lufta e së mirës kundër së keqes.

Shfaqja “a.y.l.a.n” në mënyrë ironike shpërfaqë dramën aktuale të refugjatëve në Evropë si dhe përpjekjen e shumë njerëzve për të përfituar nga tragjedia e tyre.

Në shfaqje luajnë: Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani dhe Alban Shahiqi.

Festivali “Kontrapunkt 56” është mbajtur nga 21 deri më 29 prill 2022 në Szczecin të Polonisë.