Burimi Kallxo.com

Shfaqja e shpërblyer rikthehet në repertorin e Teatrit Kombëtar

Nga 25 shkurt 2020, shfaqja “Arturo Ui”, me tekst të Bertolt Brecht dhe regji të Bekim Lumit do të rikthehet në repertorin e rregull të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Menaxhmenti i TKK-së ka njoftuar përmes një komunikate për media, se kjo shfaqje do të jetë në repertorin e rregullt të këtij teatri deri në shkurt të 2021-ës.

“Me propozim të menaxhmentit, me miratim të Këshillit Drejtues të TKK-së, dhe me gatishmërinë e aktorëve të shfaqjes, shfaqja “Arturo UI” do të jetë në repertorin e rregullt të TKK-së për periudhe njëvjeçare, deri me 01.02.2021. Besojmë se veprat, artin dhe kujtimet për artistë të nivelit të prof. Bekim Lumit, mund t’i mbajmë të gjalla vetëm duke ruajtur dhe mbajtur gjallë artin e tyre”, thuhet në komunikatën e TKK-së.

Poashtu, përveç rikthimin në repertorin e rregullt, shfaqja “Arturo Ui”, nga 09 deri më 13 mars 2020, do të përfaqësojë Teatrin Kombëtar të Kosovës në festivalin ndërkombëtar të teatrove, “Bursa International Theater Festival” të Turqisë.

Drama “Arturo Ui’, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20-të.

Në shfaqje luajnë: Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj.

Shfaqja ‘Arturo Ui” është dhënë premierë në qershor të 2018 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ndërsa ka marrë edhe dy çmime për shfaqjen më të mirë të viti dhe për regjia më e mirë (Post Mortem për regjisorin Bekim Lumi) për 2018, që ndahen nga MKRS-ja.