Skenë nga shfaqja ‘Balkan Bordello’. Foto: Qendra Multimedia.

Shfaqja ‘Balkan Bordello’ rikthehet me turne rajonal në Ballkan

Pas suksesit të turneut në SHBA, shfaqja “Balkan Bordello”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt rikthehet në rajon për një turne në disa prej festivaleve më të rëndësishme verore.

Sipas një njoftimi të Qendrës Multimedia, gjatë muajit gusht kjo dramë do të shfaqet në katër festivale ballkanike; më 8 gusht në “Nisville Jazz Teatar Festival” në Nish (Serbi), më 10 gusht në “Ohrid Summer Festival” në Ohër (Maqedonia e Veriut), më 12 gusht në “KotorArt International Festival” në Kotorr (Mali i Zi) dhe më 13 gusht në “Wild Beauty Art Festival” në Zhablak (Mali i Zi).

“Balkan Bordello” (Saga e një familjeje ballkanase), është e bazuar në triologjinë “Orestia” të Eskilit.

“Kjo shfaqje  prek indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbiditetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerr në pah budallakun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Qendrës Multimedia.

“Balkan Bordello” u dha si premierë në Prishtinë më 3 nëntor 2021 dhe vazhdoi me turne nëpër Kosovë, Shqipëri e Serbi.

Në mars të vitit 2022, premiera amerikane në “La MaMa” në Nju Jork u përcoll me 10 shfaqje të tjera duke tërhequr  vëmendjen e kritikës teatrore evropiane e amerikane.

Shfaqja “Balkan Bordello” është prodhuar nga teatri prestigjioz i Nju Jork-ut “La MaMa” në bashkëpunim me Qendrën Multimedia në Prishtinë , “Atelje 212” nga Serbia dhe “My Balkans” (SHBA/Serbi).