![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2024/12/Shfaqja-13-foto-KALLXOcom-6-720x480.jpg)
Foto: KALLXO.com
Shfaqja “13” e Rushitit kronikon raportin kundërthënës të shqiptarëve me veten
13-shi sipas besëtytnisë është numër ters, i mbrapshtë…, por regjisori Sulejman Rushiti shpreson se gjithçka do të shkojë mbarë gjatë premierës së shfaqjes “13”, të cilën trembëdhjetë aktorë do ta inskenojnë në Teatrin “Adriana” të Ferizajit sonte, më 13.12.2024, në ora 19:00.
Mbarësitë e mbrapshtitë e shqiptarëve thelbësojnë tekstin dhe përmbajtjen e shfaqjes, që Rushiti e ka dramatizuar – duke u frymëzuar nga “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë, “Qerthulli politik” i Kristo Floqit, “ABC-ja e kreshnikëve” e Mitrush Kutelit dhe vargjet qortuese të Gjergj Fishtës. Teksti përçon pasigurinë e tragjedinë, që i kanë shoqëruar shqiptarët ndër shekuj.
Viti i mbrapshtë
Shfaqja nis me një sy, i cili hapet e mbyllet në faqen e skenës së pjerrët, maje së cilës qëndron një engjëll (Dora Xhemajli), duke hapur e mbyllur krahët e mëdhenj, në përpjekjen për ta pushtuar qiellin. Poshtë syrit orvellian, Rushiti ka zgjedhur të flasë me lojën e numrave të reflektuar në pjerrinën e drunjtë skenike. Nis me 2013-shin. Vitet ecin rrufeshëm poshtë syrit para se loja e dritës të ndalet te viti 1913. Pastaj, disa burra të mbuluar kokë e këmbë me të kuqe i sulen Xhemajlit, e cila rrokulliset teposhtë pjerrinës, para se ta gjejë dhe ta shpëtojë aktori Arben Marevci, me pamjen e një të dërguari nga qielli.
“Viti 1913, një moment kyç në historinë tonë, mbetet i ngulitur në kujtesën kolektive si simbol i ndarjes, dështimit, shpresës e pasigurisë. Përmes fuqisë simbolike të numrit 13, kjo shfaqje analizon ndërthurjen mes supersticioneve e ngjarjeve historike, që kanë përcaktuar fatet e individëve dhe kombit.” – ka përmbledhur Rushiti simbolikën e titullit. “Me një strukturë dramaturgjike që lëviz mes dramës, tragjedisë, farsës e komedisë, ‘13’-shi pasqyron shumëkuptimësinë e historisë sonë, ku çdo ngjarje – humbje, fitore apo përpjekje – shpesh shfaqet si një përzierje e absurdit dhe shpresës.”
“Shqiptarët, armiq të vetvetes”
Në provën gjenerale të së enjtes mbrëma, Rushiti ka ndërhyrë rrallëherë me instruksione për aktorët. Më fort, është kujdesur për lojën e ndriçuesit me dritat sa herë ndërrohen skenat, në shfaqjen që rrok epoka të ndryshme të shqiptarëve në histori. Por, që për bërthamë kanë vitin 1913, kur Shqipëria e porsashpallur sovrane përpëlitej që të mbahej në këmbët e veta. Pos Marevcit e Xhemajlit, në shfaqjen prej rreth 90 minutash, role të shumëfishta luajnë edhe Blin Mani, Dashuri Rexhepi, Donikë Zeqiri, Edona Berisha, Elton Tahiri, Jajush Ramadani, Kushtrim Qerimi, Milot Salihu, Nexhat Xhokli e Sherif Bega. Ata bëhen kreshnikë e trima, politikanë e tradhtarë shqiptarë, por edhe përfaqësues të ushtrive pushtuese e diplomacive të Lindjes e Perëndimit, që po haheshin për Shqipërinë e porsashpallur Shtet. Në dialogje flitet me shqipe standarde, dialekte, nëndialekte e krahinizma, por dhe gjuhët e pushtuesve. Shqip recitohet kur thuhet se “armiku më i madh i shqiptarëve janë shqiptarët vetë”.
Përsëritja e historisë
Regjisori Besim Ugzmajli, i cili në “13” është angazhuar me pjesën e videove, ka thënë se Shfaqja e Rushitit përthekon fragmentueshëm rrugëtimin historik të shqiptarëve në Ballkan.
“Gjithashtu shkoqit momente të veçanta, duke i trajtuar ato me njëfarë lloj satire e me njëfarë lloj ironie, të cilat i shërbejnë të sotmes dhe të ardhmes, ku ato vijnë si ngjarje të rëndësishme. Mirëpo, me një sjellje joserioze karshi ngjarjeve super të rëndësishme, që e kanë përcjellë historinë e kombit shqiptar.” – ka thënë Ugzmajli, duke shtuar se shfaqja përkon me realitetin e sotëm për shkak të “një lloj vendnumërimi” të politikës shqiptare, në të gjitha shtetet e rajonit. “Kështu që, lidhja është e drejtpërdrejtë dhe konsideroj se përveç se sjell një histori kombëtare, me njëfarë forme edhe bën njëfarë lloj thirrje përmes mesazheve që i jep, përmes konstruksioneve dramaturgjike, estetike – që përsëritja e historisë është krejtësisht e mundshme për shkak të njëfarë sjellje të pamaturume të politikës shqiptare, kudo që ajo vepron.”
Loja e lufta për pushtet, shpesh duke u bërë një edhe me armiqtë – si haxhiqamilët që bërtasin “Dum babën” sulltan, teksa dalin e kthehen në vrimat e pjerrinës – ka edhe qortimet e ashpra nëpërmjet vargjeve të Fishtës e sakrificës së grave, të cilat presin ndonjë letër nga vaporët bregut të detit, apo Marigona (Dora Xhemajli) e cila qëndis flamurin kuqezi. Ka edhe momente gëzimi e hareje deri në dehje. Edhe këndohet. E, faji për luftën e shumë prijësve shqiptarë ndër breza më shumë për kolltuk i lihet edhe popullit, që nuk i ndëshkon as me mjetet demokratike.
Hapja e debatit me të kaluarën
“Sot, pas 100 vjetësh me u kthy dhe me e pru në kontekst të aktualitetit Fishtën, Kutelin, me sjell Kristo Floqin, Kadarenë, me i ba bashkë krejt dhe me frymu si një autor i vetëm, është një punë e jashtëzakonshme, e madhe.” – ka thënë Marevci, i cili ishte edhe asistent regjie i Rushitit. “Qasja e tij ka qenë shumë sfiduese edhe për ne, po flas për qasjen si regjisor, me skenën, pjerrësinë ku luajmë vazhdimisht, është goxha sfiduese për ne si aktorë.”
Nexhat Xhokli, aktori veteran ferizajas, ka thënë se Rushiti pos me tekstin, i ka sfiduar edhe me rolet e shumta brenda së njëjtës shfaqje. “Ky projekt ka nevojë për një publik mbase më të lexuar, mirëpo skenat që luhen, shfaqja që luhet janë për të gjithë.” – ka hënë Xhokli para provës gjenerale. “Unë besoj për të gjithë, për të gjitha gjeneratat, për të gjithë ata që duhet ta shijojnë një spektakël, një bukuri skenike.”
Vetë Rushiti, nga Maqedonia e Veriut, ka thënë se si regjisor dhe dramaturg ka synuar që me “13”-shin e tij të hapë një dialog publik ndër shqiptarë mes së kaluarës dhe së tashmes, për të eksploruar mënyrën sesi historia – me dhimbjet e triumfet e saj – vazhdon të ndikojë të ardhmen e shqiptarëve.
“Në këtë shfaqje, heronjtë, martirët, trimat, tradhtarët, mitologjia dhe realiteti ndërthuren për të krijuar një pasqyrë të asaj që kemi qenë dhe të asaj që mund të bëhemi.” – thotë Rushiti. “Përmes humorit e absurditetit, përpiqemi të përballojmë peshën e historisë dhe ta shohim atë si një mundësi për reflektim dhe ndryshim.”