Shënohet 330 vjetori i vdekjes së Pjetër Bogdanit, bëhet rrivarrimi simbolik i kolosit të kulturës shqiptare

Kisha Katolike në Kosovë – Dioqeza Prizren-Prishtinë ka shënuar të premten në mbrëmje 330-vjetorin e vdekjes dhe rivarrimin simbolik të kolosit të kulturës shqiptare, Imzot Pjetër Bogdanit.

Ceremonia zyrtare e shënimit të përvjetorit të vdekjes së Bogdanit dhe rivarrimit simbolik i tij është mbajtur në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.

Një libër dhe një dekret i autorizuar nga Ipeshkvi i Kosovës të, Imzot Dodë Gjergji janë futur në varrin e caktuar në Kriptën e Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, në vend të eshtrave të Bogdanit.

Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji ka thënë gjatë fjalës së tij në Akademinë solemne për rivarrimin e Bogdanit se përmes librit dhe dekretit gjeneratat e ardhme do të dinë të vërtetën rreth kolosit shqiptar.

Ipeshkvi Gjergji ka folur për kontributin e Bogdanit dhe rolin që ai ka në trashëgiminë kulturore e fetare të popullit shqiptar. Ndërsa ka thënë se tani e tutje për çdo vit do të shënohen Ditët e Pjetër Bogdanit.

“Në kriptën e kësaj kishe, që ne ia kushtuam Bogdanit do të kemi një varr komemorativ, sepse siç u tha ne nuk kemi një varr apo eshtrat e tij, por kemi kujtimin për të. Kështu nga sot, për çdo vit do të përpiqemi t’i përmbyllm aktivitetet kulturore, sikur janë Ditët e Gjeçovit, të Dom Mikelit me Ditët e Bogdanit, në këtë ditë për çdo vjet”, ka thënë Ipeshkvi Dodë Gjergji.

Ndërkaq, Don Shan Zefi, Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, ka lexuar dekretin e Ipeshkvit Gjergji, i cili së bashku me ‘Çetën e Profetëve” është vendosur në mënyrë simbolin e në Kriptën e Katedralës.

“Kjo duhet të jetë një qendër për gjithë shqiptarët. Bogdani ishte personaliteti më i madhe  shqiptar, pas Skënderbeut i bashkoi shqiptarët, edhe myslimanë, katolikë e ortodoksë”, ka thënë Don Zefi.

Aktivitetet për shënimin e 330 vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit kanë nisur me Konferencën shkencor ku studiuesit folën për kontributin shumë dimensional për trashëgimin kulturo-fetare të Bogdani e meshën e shenjtë për Bogdanin.

Pjetër Bogdani mendohet të ketë lindur në Gur i Hasit më 1625 dhe vdiq në Prishtinë në dhjetor të 1689. Ka qenë prift, Ipeshkëv i Shkodrës, arqipeshkëv i Shkupit. Është autori i “Çetës së Profetëve” (lat. Cuneus Prophetarum), që u botua në Padovë më 1689. Së bashku me vikar Toma Raspasani luajti rol kyç në lëvizjen pro-austriake në Kosovë përgjatë luftë turko-austriake të asaj kohe. Kontribuoi në mobilizimin e një force prej 6,000 veta që iu bashkëngjitën trupave austriake kur hynë në Prishtinë dhe në marrjen e Prizrenit.

Vdiq në Prishtinë nga murtaja në fillim të dhjetorit 1689. Nipi i tij Gjon Bogdani, njoftonte se menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, tatarët dhe turqit i zhvarrosën eshtrat e tij dhe ia hodhën qenve si ushqim në sheshin e Prishtinës.