Foto: Facebook/Bashkim Ramosaj

Shënohet 24-vjetori i betejës së Gllogjanit

Me nderime të shumta për dëshmorët ka nisur sot shënimi i 24-vjetorit të betejës së Gllogjanit, e njohur edhe si “Epopeja e Dukagjinit”.

Personalitete politike, ish-ushtarakë të UÇK-së e qytetarë të shumtë kanë marrë pjesë në manifestimin qendror për shënimin e këtij përvjetori që u mbajt në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.

Në manifestim mori pjesë edhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Bashkim Ramosaj, kryetar i Komunës së Deçanit, tha me këtë rast se 24 marsi është datë e shënuar për kombin shqiptar.

“Ka shumë data me rëndësi për historinë tonë, por, më 24 mars 1998, për herë të parë do të nderojmë krenarinë e gjenit tonë, sepse atë ditë kremtuan fitoren ndaj armikut, triumfuam si komb”, ka thënë ai. 

Ndërsa, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, tha se Gllogjani është një vend i shenjtë i shqiptarëve.

“Kam ardhur këtu si në shtëpinë time, para jush me përuljen më të madhe për veprën e shumë motrave dhe vëllezërve tanë bashkëluftëtarëve që luftuan edhe për Luginën e Preshevës”, tha ajo.

Ish-komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, ka kujtuar ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Ky është marsi i dytë që shënohet pa bashkëluftëtarët tanë, të cilat padrejtësisht janë në Hagë”, tha Çeku.

Ndërsa, Daut Haradinaj, ish-komandant i UÇK-së, tha se marsi shënon tri ngjarje të rëndësishme për kombin. 

“Marsi shënon Epopenë e Jasharajve dhe shembullin se si duhet atdheu, Epopenë e Dukagjinit dhe gatishmërinë për sakrificë dhe po ashtu shënon edhe aleancën e përjetshme në krye me ShBA-në”, tha Haradinaj.   

Një fjalë rasti mbajti edhe Rifat Jashari. “Sot po i kujtojmë bijat dhe bijtë më të mirë të popullit tonë, heronjtë tanë”, tha Jashari.

Aktivitetet për shënimin e 24-vjetorit tëEpopesë se Dukagjinit” u mbyllën me një program artistik.   

“Epopeja e Dukagjinit” shënohet në kujtim të 24 marsit 1998, datë, kur njësi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i mposhtën forcat serbe në Gllogjan.

Aktivitetet për shënimin e 24-vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit” filluan më 20 mars. Ky 24-vjetor u organizua nga Komuna e Deçanit në bashkëpunim me shoqatat e dala nga UÇK-ja.