Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

ShATK-u kërkon ndalimin e procesit të përzgjedhjes së udhëheqësit artistik të TKK-së 

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (ShATK) i ka bërë thirrje Ministrisë së Kulturës që të ndalojë procedurat e konkursit për zgjedhjen udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar.  

Përmes një komunikate për media, ShATK-u njofton se me shqetësim ka pranuar lajmin përmes mediave, se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës do të vazhdojë me procedurat e përzgjedhjes së udhëheqësit artistik të TKK-së,  përkundër faktit, siç thuhet më tej në komunikatë që ky proces në thelb bie ndesh me lgjet në fuqi. 

ShATK edhe më herët ka kërkuar anulimin e konkursit, për shkak se sipas ShATK-ut, Ministria e Kulturës po hap konkurs për një pozitë që nuk ekziston, ndërkohë që Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës duke u bazuar në po të njëjtin konkurs po vazhdon me procedurat e përzgjedhjes së udhëheqësit artistik, pra për pozitën për të cilën nuk është hapur konkursi.  

“ShATK thekson se: Në Konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet Titulli i Punës në Konkurs si: “Drejtor Artistik”. Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të Përgjithshëm. Njehërit ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe Udhëheqësin Artistik. Konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si i tillë ky konkurs nuk është valid, dhe është jo-legjitim. Për këtë arsye ShATK kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë, dhe pa humbur kohë të hapet konkursi për Udhëheqësin Artistik të TKK”, thuhet në komunikatë. 

Po sipas kësaj komunikate, ShATK kërkon qe në mënyrë urgjente Ministria e Kulturës ta ndalojë këtë proces, i cili, sipas kësaj shoqate bazohet në një konkurs jo-legjitim.  

“Kërkojmë nga ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, që menjëherë të merr masa dhe ta ndalojë këtë proces të dëmshëm për Teatrin Kombëtar të Kosovës”, thuhen në komunikatën e Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës: 

Procedurat e konkursit për zgjedhjen e udhëheqësit artistik të TKK-së pritet të nisin javën e ardhshme.