Sfida e 12,000 aplikuesëve për t’u izoluar në një fanar deti një javor

Një infermiere suedeze e ka fituar një konkurs për ta shikuar të gjithë programin e Festivalit të Filmit Gothenburg duke u izoluar në një fanar deti për një javë.

Infermierja Lisa Enroth doli më e suksesshme se 12,000 aplikantë nga rreth 45 vende të botës. Entuziastja e filmit tani po kalon një javë në një fanar deti në Hamneskar – një ishull i vogël në Detin e Veriut në bregun perëndimor të Suedisë – për ta ndjekur komplet përzgjedhjen e festivalit me më shumë se 60 filma.

“Përmes punës sime në kujdesin shëndetësor, duket se kam shpenzuar vite të tëra duke dëgjuar, testuar dhe ngushëlluar. Ndihem i harxhuar nga energjia”, deklaroi Enroth për Euronews.

“Era, deti, mundësia për të qenë pjesë e një realiteti krejtësisht të ndryshëm për një javë – e gjithë kjo është me të vërtetë tërheqëse”, shtoi ajo.

Procesi i përzgjedhjes u bë përmes shkrimit të një letre, si dhe intervistës dhe testeve për të siguruar që personi i përzgjedhur ishte në gjendje t’i rezistonte izolimit.

“Zgjedhja e një personi të vetëm nga 12,000 sosh nuk ishte një detyrë e lehtë, por Lisa na la mbresa të forta në letrën e saj”, tha shefja ekzekutive e Festivalit të Filmit në Gothenburg, Mirja Wester.

Enroth u dërgua në ishullin Hamneskar të shtunën dhe do të qëndrojë atje deri në mbarim të Festivalit me datë 6 Shkurt. Njerëzit nga e gjithë bota mund të ndjekin përvojën e Lisas përmes një video-ditari të përditshëm.