‘Sërish vijnë zgjedhjet’, shfaqje virtuale LIVE në Facebook dhe ZOOM

Të dielën, me 12.07.2020 në ora 21:00, përmes Facebok-ut dhe ZOOM-it jepet LIVE premiera e shfaqjes virtuale, “Sërish vijnë Zgjedhjet”, në regji të Faik Ispahiut.

Tekstin e shfaqjes e ka adaptuar vet regjisori duke u bazuar në “November” të David Mamet.

Regjisori, së bashku me ekipin e aktorëve të përbërë prej: Besim Ajeti, Shpejtim Kastrati, Ermal Sadiku dhe me paraqitje nderi të doajenit Enver Petrovci, vijnë me një realizim inovativ të shfaqjes “Sërish vijnë Zgjedhjet”.

Shfaqja do të jepet LIVE në Facebok për të gjithë të interesuarit, ndërsa për një numër të caktuar, do të mundësohet edhe përcjellja në formë interaktive e shfaqjes përmes plaftormës ZOOM.

Për ta përcjellur shfaqjen, në vend të biletave, publiku duhet të kërkojë linkun e ZOOM-it nga regjisori, ose edhe mund ta kërkojnë linkun LIVE në Facebook përmes #SërishVijnëZgjedhjet.

Për shkak të pandemisë Covid-19, të gjitha provat janë mbajtur në formë virtuale, në distancë, përmes ZOOM dhe kanaleve tjera digjitale, prandaj, edhe premiera e reprizat janë paraparë nga regjisori për t’u dhënë në të njëjtën formë.

Për dallim nga shfaqjet e deritanishme teatrore të cilat për shkak të pandemisë janë shfaqur si të xhiruara në mediume të ndryshme online, kjo shfaqje nënkupton aktrim LIVE.

Të gjithë aktorët, njëjtë sikur publiku në ZOOM, do të performojnë edhe për premierë e edhe për çdo reprizë drejtpërdrejtë nga vendndodhjet e tyre dhe do të ketë interaktivitet mes aktorëve dhe publikut, njëjtë sikur edhe në sallë teatri, vetëm se kësaj radhe, në mënyrë virtuale dhe në përkujdesje teknike të Arian Hysenit dhe Korab Gërdovcit.

“Koncepti i teatrit nuk ka ndryshuar me mijëra vite: në fillim, ka qenë në fushë, pastaj ka kaluar në skenë guri e mermeri, pastaj ka kaluar në skenë me dërrasa të rrethuara me mure të ndryshme”, ka thënë regjisori Faik Ispahiu.

Më tutje, Ispahiu shton se sot, skena ka kaluar në ‘dërrasa virtuale’. Edhe pse, siç thotë më tej regjisori Ispahiu, teknologjia ka ndryshuar, koncepti ka mbetur i njëjtë: aktorët do ta përgatisin tekstin e shkruar sipas një ngjarjeje të bazuar në ide, për të përçuar mesazh të regjisorit, për ta shfaqur para publikut i cili ka dëshirë dhe nevojë për ta përjetuar atë shfaqje dhe atë përvojë.

Faik Ispahiu kthehet si krijues teatror pas 16 viteve pauzë dhe mbahet mend për shfaqjet “Aromë Portokalli”, “Makiato Boys”, “Unë nuk e solla Doruntinën”, “Kaligula”, “Rikardi III”, etj.