Sëmundja e kujtimeve

(Një vështrim për romanin ‘Çelësi i zonjës Meri’ të Bardh Frangut’)  

  Shkruan: Agron Gërguri

Ngjarja është e vendosur në një vend ku vetëm urrejtja ka kuptim dhe asaj i besohet, e ku fatkeqësia matet me fatin që u sjell të tjerëve, aty ku diploma e titujt akademik blihen në kioska, por që dashuria dikur ishte më dashuri edhe pse nuk dihej çka ishte, veçse një inercion ndjenjash të shtyn të veprosh në drejtim të frekuencave që thërrisnin për përqafim.

Ky ishte vendi ku po kthehej Zonja Meri “heroina” e romanit s’cilës atdheu ia rriste bebëzat e syrit në formë të kujtimeve oazë sepse çka thuhej e shihej ishte një shkretëtirë e cila atë e trullosë deri në alivanosje derisa po ato kujtime  e  akuzojnë se ishte apo po bëhej pjesë e fajit  të të tjerëve edhe në  mungesë, thuaja pahetueshëm ishte futur në kazanin e thashethemnajës dhe moçalit mental që fyen çdo shkëndijë mendjeje e cila nga zhgënjimi plotë dashuri, i thoshte se: ky është atdheu yt Meri e jo ai i mendjes tënde.

Kështu disi e me dilema që veç arti i ngre në temë po lexoja Merin përkatësisht po bashkëbisedoja me autorin i cili në fakt nuk po na thoshte këtë me tekst, por me përvojën e gërryerjes nën lëkurë, për t’ na e gravuar në mendje si nëntekst, e që ne pastaj fillojmë të gërditemi nga vetvetja, për të nxjerr pështymen e cila na e vizaton fytyrën me hartën e mëkateve.

Kujtimet të cilat përpiqet t’i restaurojë në shpirt, duke i ngjallë përmes njerëzve përfaqësues me emërtime simbolike, autori ikën nga koha reale e cila po tretej në shpërfytyrim dhe ndalet në kohën psikologjike e cila nuk përfundon dhe duke qenë e  tillë e papërfundueshme jep mundësi eksplorimi e zbërthimi të gjendjes së brendshme të psikës së personazhit Zonjës Meri e cila e përhumbur në fotografinë e munguar, ecën në realitet e dëshiruara të së kaluarës, në të sotmen e somnabuluar.

Analizon gjendje, situata, gjykon zhgënjyeshëm mospërmbajtjen e lirisë të cilën e takon në gjendje të keqe, si të pronësuar, klithmën e  jetës  për dinjitetin e humbur të saj, e cila si e  tillë nuk i ka hije lirisë. Andaj edhe personazhet tjera shoqëruese si: pastruesi i nevojtoreve, mbledhësi i kënaqësive, taksisti, doktori, recepsionisti, thuaja se të gjithë lëvizin brenda një asgjëje, edhe kur nisen për diku, asnjë rrugë nuk e bëjnë deri në fund pa u kthyer ndonjëherë mbrapa e aty i pret si detektor i gjendjes së tyre Meri me nostalgjinë e saj për të djeshmen dhe zhgënjimin me të sotmen, në përpjekje që të gjitha këto personazhe pamundshëm t’i gdhendë si gurë për të riformuluar mozaikun prishur të atdheut apo për të rimbursuar dehidrimin emocional.

Duke shpejtuar ta zë të kaluarën për një ditë  kalon  nëpër të katër stinët e jetës, njëherësh. Por, peizazhin e vendlindjes nuk  bëjnë guri e druri, por njerëzit, ata i japin kuptim gjërave, sepse atdheu është copë zemrash shpërndarë nëpër njerëz që do t’i mbledh ajo duke shpalosur faqet e rrugëve si rrëfime nëpër të cilat dikur kishte shkelur. E sot aty takon protestues të dyshimtë, për fatin e të pagjeturve, në regjistrin e të cilëve ishin edhe prindërit e saj… pastaj takon lejlekun shtegtar i cili tejkalon simboliken e prezencës dhe mungesës së Merit në jetën  e vendlindjes.

Ajo na merr përdore dhe  vazhdon të ecë nëpër fërkemtë e jetës së kaluar të saj për të na takuar me mungesën. Në fakt ajo ecë nëpër rrugën  e minuar të kujtimeve, jetës së zvetënuar me padinjitet, s’cilës i mungojnë melodia e duhur, kënga, libri, teatri, buzëqeshja, dashuria dhe miqësia të cilat kishte menduar se do t‘i gjejë në hambarin  lirisë, në atdheun e idealizuar në mungesë, “E sheh si po pakohemi, gjithnjë e më shumë… gjithnjë e më pak dashuri po mbetet këndej”, ajo po vdes e Maja e Libetenit mbetet objektiv i paarritur.

 Në një ambient të frustruar Frojdian autori shprehet me gjuhën e Bukovskit

Rakia, mallin e mërzinë e zbërthen më shpejt në gjak, e thotë taksisti i cili duke e shfrytëzuar këtë thënie e kalëron seksin e Merit derisa ajo ishte në kërkim të ëndrrës për të mbushur gotën e zbraztë të shpirti të saj derisa po e maste kohën me zemër për t’na e lexuar apo gjetur të munguarën tek secili prej nesh si lexues dhe për t’ na identifikuar e listuar edhe si “pjesë të fajit të të tjerëve”.

E gjitha pastaj derdhet në një revoltë refuzuese me të ndodhurën, duke pasur si kontrapunkt motivues ëndrrën e dikurshme. Nga i gjithë ky galimatias autori e nxjerr vlerën e librit si vlerë të ndjenjës së mirë, dashurisë dhe miqësisë si një pikëtakim të njerëzores e cila mjerisht po zvetënohet, tjetërsohet dhe është kriterizuar me shprehjen e Ekos “për pjesëmarrjen e secilit në luadhin e fejsbukut…”

Dhe këlthet për të gjetur nukleusin e të vërtetës për lirinë, dashurinë dhe përhumbjen e dëshirueshme në kënaqësi, e jo në atë në të cilën komandon  mungesa  e dashurisë.

Gjatë leximit më dukej sikur kisha hyr në laboratorin e  Frojdit i cili po më fliste me gjuhen e Bukovskit, u ndjeva shqyertushëm nga shqetësimi dhe pakënaqësia  e përbashkët me realizimin e ëndrrës së lirisë, mungesën apo prostituimin e dashurisë e shumëçka tjetër adresuar në rrugën pa numër e me emër të panjohur, siç nuk po  e njohim më as veten tonë, kur e hapim portën e kujtimeve me Çelësin e  zonjës Meri. Lexojeni!