Seminari i shqipes, Sislej Xhafa do të prezantojë arritjet e artit kosovar në skenat botërore

Artisti pejan me famë botërore, Sislej Xhafa, do të mbajë një prezantim në kuadër të Seminarit të XLII (42-të) Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Në kuadër të Seminarit, Xhafa do të prezantohet me temën “Arti kosovar në botë”, më 22.08.2024, në Sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit Filologjik të UP-së.

Xhafa është ndër krijuesit pamor kosovar më të afirmuar në botë.

“Me rezidencë në New York, ai ka ekspozuar në Amerikë, Japoni, Francë, Itali, Gjermani, Poloni, Angli, etj., duke prezantuar para botës idetë e tij artistike të lidhura me situatën ekonomike, politike dhe sociale të shoqërisë ku jetojmë. Është themelues i Institutit për Art Bashkëkohor ARKIV në Pejë. Në mars të vitit 2022, Xhafa u zgjodh akademik nderi i Akademisë së Arteve të Bukura të Firences”- thuhet në njoftimin e Seminarit në Facebook.

Seminari i 42-të i Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të nisë punimet të hënën e ardhshme, më 19.08.2024, në Prishtinë.

Këtë vit, Seminari shënon 50-të vjetorin e themelimit e tij, andaj organizatorët kanë paraparë një program të veçantë me pjesëmarrjen e emrave të njohur të albanologjisë nga mbarë bota.

Rreth 200 studentë dhe studiues të shkencave albanologjike nga vende të ndryshme të botës pritet  të marrin pjesë në Seminar.

“Vlen të theksohet se sivjet është 50 vjetori i themelimit të Seminarit të Prishtinës dhe përveç që do të zhvillohen aktivitete të rëndësishme kulturore e shkencore, do të ligjërojnë edhe disa nga shkencëtarët më të njohur të dijeve albanologjike në botë”- në njoftimin e Seminarit.

Programi i Seminarit përfshinë: kurse për mësimin e gjuhës shqipe për seminaristët në tri nivele, ligjërata të në fusha të ndryshme të albanologjisë, tryeza e referime të ndryshme.

Sipas programit, më datë 26 gusht 2024, do të mbahet një tryezë shkencore për Ismail Kadarenë.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare themeluar më 1974 në Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studentët që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Deri tani, Seminari ka zhvilluar gjithsej 41 sesione (edicione). Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nga viti 2000 Seminari rikthehet  në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Më 2020 nuk u mbajt për shkak të pandemisë “Covid 19”.