"Sahat Kulla", pritet të restaurohet brenda 90 ditëve

Pas 90 ditësh pritet që Sahat Kulla në Prishtinë të marrë pamje të re. Kjo pasi sot u bë nënshkrimi i marrëveshjes për restaurimin e saj nga Komuna e Prishtinës dhe “United Nations Development Programme” (UNDP).

Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës Adrian Berisha njoftoi se ky projekt do të ketë kosto prej 120 mijë eurove.

“Projekti prej 120 mijë eurove bashkëfinancohet nga Komuna dhe UNDP. Kostoja të cilën ne si komunë e marrim përsipër, është 70 mijë euro, kurse pjesa tjetër është e UNDP-së. Më në fund ne do të shohim një Sahat Kullë të cilës do të fillojnë t’i punojnë akrepat dhe një objekt që e meriton një trajtim të dinjitetshëm”, ka thënë Berisha.

Ai falënderoi UNDP-në si dhe financuesin e saj Bashkimi Evropian, të cilët sipas Berishës edhe në të kaluarën kanë dhënë kontribut të madh që trashëgimia kulturore të konsiderohet si njëra nga gjërat më të rëndësishme në memorien e shoqërisë kosovare e që është po aq e rëndësishme për zhvillimin socio-ekonomik dhe kulturor të një qyteti.

Për projektin e restaurimit të Sahat Kullës, përfaqësuesja e përhershme e UNDP në Kosovë, Maria Suokko falënderoi Komunën e Prishtinës për bashkëpunim duke konsideruar se projekti ka impakt kultoror në gjithë shoqërinë në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike e religjioze.

“Ne do ta bëjmë këtë ndërtesë më të qasshme për qytetarët, pa harruar promovimin e trashëgimive të pasura kulturore që ka Kosova”, tha Suokko.

Ajo tha se “Sahat Kulla” reprezanton vlera kulturore, historike dhe arkitektonike për gjithë Kosovën dhe se “do të sigurohemi që kjo Sahat Kullë do të qëndrojë e fortë edhe për gjeneratat e ardhshme”.

Restaurimi i “Sahat Kullës”, do të bëhet sipas projektit ideor që kanë bërë disa studente të Fakultetit të Arkitekturës. Modeli është projektuar nga Drenusha Morina, Tringa Krasniqi, Diellza Kastrati dhe Anita Shatri dhe ishte miratuar nga Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më herët për idenë e studenteve e cila sot mori hapin e nisjes praktike të tij.

Zyrtari i ngarkuar me ekzekutimin e këtij projekti, Arbër Berisha tha se punimet parashihet të zgjasin deri në 90 ditë, mirëpo gjithçka është edhe në varësi të kushteve klimatike, meqë parashihet restaurimi i orës, kambanës, shkallëve, fasadës si dhe punimet në oborr.

Në këtë pjesë të Prishtinës, ku ndodhet “Sahat Kulla”, sikur edhe në shumë lagje tjera të Prishtinës, janë kabllot e shumta të rrymës që paraqesin një problem në vete. Për këtë çështje, zyrtari i ngarkuar për mbarëvajtjen e projektit restaurues të Kullës, Arbër Berisha, tha se parashihet që ato të futen nën tokë.

“Gjatë implementimit të projektit do të bashkëpunojmë me KEDS që të gjitha kabllot të futën poshtë në tokë e të mos shihen”, ka thënë Berisha.

Ndaras nga restaurimi i Kullës, rehabilitimi i kabllove të energjisë elektrike, sipas drejtorit të Kulturës Adrain Berisha, do të kushtoj rreth 15 mijë euro.

Nënshkrimi i marrëveshjës për restaurimin e “Sahat Kullës”. Foto: Kallxo.com 

Marrëveshja për restaurimin e “Sahat Kullës” mes Komunës së Prishtinës dhe UNDP-së. Foto: Kallxo.com