Rrugëtimi i suksesshëm i kinematografisë kosovare në festivalet ndërkombëtare

Javën që shkoi, kinematografia kosovare arriti majat e prezantimit në festivalet ndërkombëtare.

Filmi “Zgjoi” i regjisores, Blerta Basholli fitoi tri çmimet kryesore të edicionit të sivjetmë të festivalit të filmit,”Sundance Film Festival” të SHBA-ve.

Ndërsa të dielën, filmi “Në kërkim të Venerës” me regji të Norika Sefës fitoi çmimin special të jurisë në festivalin e filmit në Roterdam të Holandës.

Tri çmimet kryesore që “Zgjoi” fitoi në Festivalin e Filmit në Sundance, i cili u mbajt nga 28 janar deri në fillim të këtij muaji në SHBA, e rendisin filmin e regjisores Basholli në majat e suksesit të kinematografinë shqiptare në përgjithësi.

Suksesi i historik i “Zgjoit” dhe ai i filmit “Në kërkim të Venerës”, vijnë pas një prezantimi të suksesshëm të kinematografisë sonë viteve të fundit në festivalet ndërkombëtare të filmit.

Veçanërisht pas suksesit të filmit “Exil” të Visar Morinës në Sarajevë, vitin që shkoi, që mori çmimin “Zemra e Sarajevës”.

Regjisori Ben Apolloni ka thënë për Kallxo.com se suksesi i filmit “Zgjoi” është i jashtëzakonshëm.

“Në Sundance vetëm të marrësh pjesë është arritje shumë e madhe, kurse të shpërblehesh me çmime, është fantastike”, ka thënë ai.

Ai thotë se ky sukses është meritë e regjisores Basholli dhe ekipit të saj.

Ndërkaq, regjisori Jeton Ahmetaj, profesor në Fakultetin e Arteve të UP-së, ka thënë për Kallxo.com se suksesi i Bashollit në Sundance është edhe një sukses i Degës së Regjisë së Fakultetit të Arteve të UP-së, pasi siç ka thënë ai, regjisorja Blerta Basholli është kuadër qind për qind i kësaj dege.

“Filmi i Kosovës po ecën drejt majave dhe mbrapa këtij suksesi qëndron UP-ja, përkatësisht Fakulteti i Arteve dhe Dega e Regjisë së filmit. Fakti i fitoreve nëpër festivale si ky i Blertës e bën shumë më atraktive këtë degë, ku Blerta Basholli është pedagoge”, ka thënë Ahmetaj.

Sukseset e kinematografisë sonë u rritën dukshëm nga 2014-ta, pasi Kosova fitoi të drejtën për të dërguar propozimet për në “OSCARS”.

Përveç pjesëmarrjes në festival prestigjioze, si në Berlin, Karlovy Vary, Talin, San Sebastian, Montreal, Sundance e deri në OSKARS me filmin e shkurtër “Shok”, filmat kosovarë sollën mjaft çmimet të rëndësishme.

Në fund të 2020, Adriana Matoshi fitoi çmimi për “Aktoren më të mirë” (The best female performance) në festivalin spanjoll, “Mostra de Valencia” për rolin e Lumes në filmin “Zana”.

Adriana Matoshi në filmin “Zana”

Me çmime gjatë 2020 u kthyen edhe filmi “Cirku Fluturues” i regjisorit Fatos Berisha, dhe filmi “Vera andrron detin” të regjisores të Kaltrina Krasniqi.

Lista e sukseseve të kineastëve kosovarë në festival ndërkombëtare është e gjatë, pavarësisht se Qendra Kinematografike nuk ka një evidencë të saktë të këtyre sukseseve.

Vetëm deri në 2015 filmat kosovarë kishin arritur të fitonin afër 200 çmime ndërkombëtare.

“Vitet e fundit kinematografinë kosovare e ka përcjell një sukses i madh në arenën ndërkombëtare duke numëruar afër 200 çmime nga festivalet ndërkombëtare”, thuhet në një njoftim të QKK-së të 2015.

Insert nga filmi “Exil”. Foto: QKK