Foto: Valon Gashi/Facebook

Rrugëtimi artistik Valon Gashit, kitarist i grupit 'Elita 5'

Jo çdo herë filozofia njerëzore arrin të shprehet përmes fjalëve. Për instrumentistët, instrumentet muzikore janë zgjatime të trupit, ndërsa  notat muzikore janë forma ideale për ta shprehur atë që se shprehin fjalët.

Përtej një instrumenti që krijon nota, për kitaristin e grupit Elita 5, Valon Gashi, kitara është pjesë e shpirtit dhe trupit.

Në një intervistë për KALLXO.com Gashi ka rrëfyer hapat e karrierës së tij nga një fëmijë që kishte ëndërruar të blejë një kitarë, në autorë të shumë hiteve, e deri tek momenti kur arriti të performojë me idollin e tij, kitaristin me famë botërore  Steve Vai.

Para disa ditësh kitaristi Gashi  arriti të performojë më kitaristin amerikan me anë të një video-konference, në të cilën shpalosi punën dhe eksperiencat e tij.

Gashi  tha se ka performuar para mijëra personash në koncerte madhështore për shumë vite, por asnjëherë nuk ka pasur tremë. Ndërsa momentin kur ka zhvilluar bisedë me autorin e kryeveprës “For The Love of God” ka qenë aq i emocionuar sa që e ka pas vështirë edhe të shprehet.

“Ka qenë një ndër idhujt më të mëdhenj  të fëmijërisë. Ndoshta njëri ndër arsyet që jam marrë me këtë punë. Nuk më kujtoheshin as fjalët në anglisht, por kur ishte puna te performimi isha shumë mirë. Ndoshta nuk kam dhënë maksimumin tim por përsëri ishte mirë” rrëfeu Gashi.

Gashi tha se është duke punuar për një solo album të cilin ka ëndërruar gjithmonë që ta realizoj, dhe se biseda me Steve Vai ka qenë shtysë dhe mësim jetësor  për të vazhduar të merret me realizimin e tij.

“I ka thënë fjalët që unë ia kam thënë nonstop vetes. Asgjë nuk është shtuar prej fjalëve që unë ia kam thënë vetes që duhet të punoj, të veproj. Atë e quaj unë si mësim jetësor, se fjalët që më janë sjellë në kokë m’i ka thënë Steve”  tha Gashi.

Ai tha se Vai i ka kërkuar që të ia dërgojë këngën e parë të albumit pasi ta përfundoj realizimin e kompozimit. Për të ky rast është  madhështor “bingo”, që idolli, modeli i tij i cili asnjëherë nuk mban video-konferenca vetmas  me askënd, ka arritur të performojë me të, dhe se  i ka kërkuar që t’ia dërgoj këngën e albumit.

Përpos këtyre momenteve ai me nostalgji rrëfeu momentet e para si 15 vjeçar, kur arriti të plotësojë ëndrrën e tij duke blerë kitaren e parë, duke e përvetësuar atë dhe duke e shndërruar në profesion.

“Të hollat i ka marrë vëllau dhe ma ka blerë kitaren e parë akustike, pa dijeninë time, dikur rreth moshës 15 vjeçare. E kam ditë si fëmijë, prej herës të parë që e kam pas në dorë kitaren, që ajo ka me qenë diçka me të cilën do merrem gjithë jetën” tha Gashi.

Ai tha që në fillim kanë qeshë me atë vendim të tij por ka qenë i sigurt që kitara është ajo që donë dhe se e ka ndje si pjesë të trupit. Sipas tij, dashuria e madhe ndaj këtij instrumenti e ka bërë që si autodidakt të mësojë vet ekzekutimin e saj, lidhjen e notave, performimin e gjithëçka tjetër rreth kitarës.

Tutje, ai shpalosi ndjesitë e tij sa herë kap kitaren në dorë. Sipas Gashit ndonjë ditë sikur kitara vet të fton që të luash në të, ndonjë ditë nuk mundesh fare ose edhe nganjëherë është ajo që ta shton disponimin.

“Thjesht instrumenti është ai që ta shpalos atë disponimin tënd. Kur je në rregull luan shumë mirë, kur nuk je në rregull nuk mundesh fare të luash në kitarë” tha ai.

Ndërsa i pyetur se a ka synim tregun e jashtëm, ai tha se karriera e tij nuk mundet të marr tjetër kahje për shkak se është anëtar i Elita 5, dhe se do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij grupi sa është gjallë. Kurse, për albumin tha se është synim i tij që ta lë ndonjë shenjë me këngë të komponuara nga ai vet. Por, sipas tij shkaku i pandemisë është e pamundshme të përkushtohet maksimalisht.

“Unë i kam bërë do vjet, 44 vjet dhe nuk kam ëndrra të depërtoj në tregun botëror, nuk kam pas kurrë se te unë ka pas vlerë thënia “Ma i mirë i pari në fshat se i fundit në sheher”. Unë jam pjesë e bendit ma të madh rok që  jeton prej këngëve të veta. Jemi bendi i vetëm në shqiptari që  asnjë mbrëmje nuk interpretojmë cover-këngë, por mbrëmjen e mbajmë me këngë tona, plus bëjmë rok” theksoi Gashi.

Sipas tij kjo është arsyeja pse nuk ka menduar që të dal jashtë tregut shqiptar dhe se në 15 vitet e fundit gjendja e kitaristëve në Amerikë është shumë e keqe në krahasim me kohën kur ka qenë epoka e rokut.

Ndërsa në zgjedhjen në mes të dy kitaristëve Jimi Hendrix dhe Steve Vai tha se ky i pari ka qenë zanafilla e rokut dhe se është dëgjuar nga të gjithë, ndërsa Vai është tjetër dimension, tjetër frymë.

“Herën e parë kur e kemi dëgjuar në vitet 1993-1994 unë kam thënë për vete çka janë këto nota, nuk është njeri por është alien. Por e pashë që nuk ishte alien por një njeri shumë “cool”, një njeri që di shumë mirë punën e tij” tha Gashi për Vai.

Për numrin e audiencës së muzikës me kitarë ai tha se atij nuk i intereson nëse dëgjohet apo jo dhe se ai këtë punë e bënë për vete. Ndërsa për muzikën e ditëve të sotit tha që nuk është e keqe, ka talenta të shumtë, ka ndikim dhe se i vjen mirë që rryma e muzikës R&B dhe rap ia ka ulur fitimet dhe dëgjueshmërinë muzikës tallava.

Përderisa në vitin 1987 në botë rrymonte muzika rok e grupit irlandez U2, në trojet shqiptare grupi pop-rok Elita 5 veç se kishte nisur kontributin artistik me një stil të veçantë të muzikës, stil që vazhojnë ta praktikojnë edhe sot. Valon Gashi është kitarist i hiteve të Elita 5 si  “Nuk Jam Diktator”, “Faleminderit”, “Më Fal”, “Mohikani i Fundit” etj.

Steve Vai është  kitarist amerikan, kompozitor, këngëtar, kantautor dhe producent. Vai është tri herë fitues i çmimit Grammy dhe 15 herë i nominuar. Vai e filloi karrierën e tij muzikore në vitin 1978 në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare si transkriptues për Frank Zappa, dhe luajti në grupin e Zappa nga 1980 deri në 1983.

Ai filloi karrierën solo në vitin 1983 dhe ka publikuar tetë albume solo deri më sot. Ai ka regjistruar këngë me grupet muzikore Alcatrazz, David Lee Roth dhe Whitesnake, si dhe ka pasur bashkëpunime me artistë të tillë si Public Image Ltd, Mary J. Blige, Spinal Tap dhe Ozzy Osbourne.