Ministria e Kulturës, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Rreth gjysmë milioni euro nga buxheti i shtetit për objektin që s`u shfrytëzua kurrë

Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit iu deshën gati një vit për të ndërprerë kontratën për objektin e marrë me qira që nuk e shfrytëzoi as një ditë.

Në shtator 2019 (17.09.2019), MKRS përmes një kontrate mori me qira një objekt prej 2500 metra katrorë nga “Ramiz Sadiku new Co” SHPK, për zhvendosje të plotë në atë objekt. Për shkak të protestave të punëtorëve, ministria nuk lëvizi nga objekti aktual.

45 mijë euro ishte shuma financiare që MKRS duhet të paguante në muaj për qiranë. Por, nga kjo shumë, për çdo muaj MKRS obligohej që të ndalte tatimin mbi qiranë.

Por, edhe pse nuk u vendos në objektin e “Ramiz Sadikut”, MKRS priti 10 muaj për të ndërprenë kontratën, pavarësisht se neni 4 i kontratës ia mundësonte shkëputjen në çdo kohë, me një paralajmërim një mujor.

Tek në gusht të 2020-ës, MKRS vendosi të ndërpres këtë kontratë. Shkëputja e kontratës u bë me inicimin dhe nënshkrimin e ish-ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përhershëm, Ibër Alaj. Ndërkaq, lënda u dërgua në gjykatë.

Kostoja e kontratës

Më 30 dhjetor 2021, përmes procedurës përmbarimore, MKRS u detyrua të paguaj 481,651.40 euro kompanisë “Ramiz Sadiku”, pas vendimit të gjykatës.

Sipas zyrtarëve të MKRS-së, në këtë shumë përfshihet kamatat dhe shpenzimet tjera.

Në emër të qirasë, MKRS për 10 muaj u detyrua të paguante 415,678.00 euro; 805.10 euro për shpenzime të procedurës përmbarimore; 6,713.72 euro në emër të efikasitetit për zbatimin e përmbarimit dhe 58,454. 58 euro kamatë ligjore. Gjithsej 481,651.40 euro.

Bislim Bislimi, ushtrues aktual i detyrës së Sekretarit të Përgjithëm në MKRS ka thënë për KALLXO.com se kontrata është shkëputur më 12.08.2020, me kërkesën e Zyrës se Sekretarit të Përgjithshëm.

“Kontrata është ndërprerë me kërkesën e Zyrës se Sekretarit të Përgjithshëm. Mirëpo, se për çfarë arsye nuk është bërë kjo kërkesë menjëherë sapo është konstatuar se MKRS nuk do të zhvendoset nga objekti aktual, nuk dihet. Mosveprimi me kohë sipas dispozicioneve të kontratës ka shkaktuar dëm financiar të lartë për buxhetin e MKRS. Unë personalisht nuk i kam të njohura faktet dhe rrethanat se për çfarë arsye ish-menaxhmeti nuk ka reaguar me kohë në drejtim të shkëputjes së kontratës”, ka thënë Bislimi.

Bislimi ka thënë se ndërprerja e kontratës është bërë në mënyrë ligjore dhe tashmë është qartësuar se MKRS do të vazhdojë të mbajë objektin ku ndodhet aktualisht.

MKRS për qiranë e objektit që nuk e shfrytëzoi kurrë pagoi:

Për 10 muaj 415,678.00 euro në emër të qirasë

805.10 euro për shpenzime të procedurës përmbarimore

6,713.72 euro në emër të efikasitetit për zbatimin e përmbarimit

58,454.58 euro kamatë ligjore

 

Nënshkrimi i kontratës 

Më 17.09.2019 MKRS nënshkroi një kontratë me kompaninë “Ramiz Sadiku new Co” SHPK për shfrytëzimin e objektit me qira të kësaj të fundit për nevoja të MKRS-së.

Plani ishte që MKRS largohet nga objekti i saj, pasi aty ishte planifikuar vendosja e Presidencës së Kosovës.

Kontrata me kohëzgjatje 24 muaj me mundësi ri-negocimi, obligonte MKRS-së të paguante një shumë prej 45 mijë eurove në muaj për qiranë për 2 500 mijë metra katrorë.

Ministria sipas kontratës obligohej të marrë përsipër edhe harxhimet rrymës, ujit dhe mbeturinave. Ndërsa, sipas kontratës do të ndalte në burim tatimin mbi qiranë për çdo muaj.

Por, protestat e punëtorëve të mbajtura në fillim të nëntorit 2019, pamundësuan zhvendosjen nga objekti aktual.

Për ditë të tëra punëtorë e MKRS zhvilluan disa protesta dhe greva për të kundërshtuar largimin e tyre drejt një objekti privat.

 

Ministrisë së Kulturës ia ‘marrin’ shtëpinë, transferohet në një objekt me qira