Romani ‘Bartësi i shpirtrave të përzënë’ botohet edhe në Tiranë

Romani ‘Bartësi i shpirtrave të përzënë’ i Adil Ollurit është botuar edhe në Tiranë. Pas dy botimeve në Prishtinë, ky roman është botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri” në Tiranë.

Romani “Bartësi i shpirtrave të përzënë” që nga botimi i parë ka marrë vlerësim për realizimin artistik dhe temat e prekura.

Studiuesi Vrion Gaçe shkruan se ky roman nuk është sprovë pikënisjeje, por është një arritje e madhe, një fakt letrar-kulturor jo vetëm në jetën e autorit, por edhe për letërsinë bashkëkohore shqipe.

Ndërsa Agron Tufa ka potencuar se falë vetës së dytë, Adil Olluri ka mënjanuar tendencën bajate të ekzgjerimit dhe patetikës heroike, duke i lënë vend projektimit të llahtarës, disiplinimit të saj të pamundshëm në një udhëtim eksod me trenin e vdekjes.

“E vetmja heroikë është të presësh vdekjen në mënyrë dinjitoze, njerëzore, në një orë të ligë kur nënvetëdija të kthen së prapthi, si astar xhakete. Atëherë nuk kuptohet më, a je në realitet apo në kllapinë alegorike të vdekjes”, ka shkruar Tufa.