Foto: Facebook/ Hajrulla Çeku.

Rifillon restaurimi i objektit të djegur të shkollës së parë shqipe në Ferizaj

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se kanë rinisur punimet për restaurimin e objektit të vjetër të gjimnazit “Ismail Qemali” në Ferizaj.

Çeku ka thënë se punimet për restaurimin e këtij objekti nisën më 13 mars, por u ndërprenë pasi zjarri kaploi objektin një ditë më pas.

“Me 13 mars patën nisur punimet për restaurim. Në mëngjesin e hershëm të 14 marsit ndërtesës iu vu zjarri. Disa ditë zgjati angazhimi i zjarrfikësve. Pasi na u mundësua qasja, bëmë vlerësimin e dëmeve. I mobilizuam të gjitha kapacitetet për t’i mbyllur procedurat e nevojshme. Sot, vetëm 10 ditë pas zjarrvënies, punimet kanë rifilluar. Shkolla e parë shqipe (gjimnazi i vjetër) “Ismail Qemali” në Ferizaj do të restaurohet”-ka shkruar ministri Çeku.

Çeku ka shpërndarë edhe disa foto nga fillimi i restaurimi të këtij objekti nën mbrojtje të shtetit.

Një zjarr që shpërtheu mëngjesin e 14 marsit dëmtoi rëndë çatinë dhe pjesë të murit të objektit i vjetër të gjimnazit “Ismail Qemali”. Dyshimet e para ishin për zjarrvënie të qëllimshme, çka ka shtyrë policinë dhe prokurorinë të nisin hetime.

 

Djegia e objektit të trashëgimisë në Ferizaj, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme (VIDEO)