Imazhe të projektit restaurues. Foto: Facebook/Hajrulla Çeku.
Restaurimi i Shtëpisë së Kulturës në Runik pritet të kushtojë deri në 1.7 milion euro
Në fillim të vitit 2025 parashihet të nisë restaurimi i Shtëpisë së Kulturës në Runik të Skenderajt.
Ky restaurim pritet të kushtojë deri në 1.7 milion euro.
Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com Adrian Berisha, drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Hajde”.
Restaurimit të Shtëpisë së Kulturës në Runik, monument i trashëgimisë kulturore, i parapriu përzgjedhja e projektit restaurues që u mundësua nga tri institucione: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Skenderajt dhe Fonacioni ‘Hajde”.
Projekti i studios “Ars Atelie” është përzgjedhur për konservim- restaurim të kësaj shtëpie të kulturës.
Më 05.08.2024, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, përzgjedhjen e projektit restaurues për Shtëpinë e Kulturës në Runik, e cila sipas tij, do të shndërrohet në një “qendër kulturore dinamike për komunitetin”.
Po atë ditë edhe Fondacioni “Hajde” i themeluar nga Petrit Halilaj, një artist pamor më famë botërore, njoftoi për përzgjedhjen e projektit për restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik.
Kostoja e restaurimit
Adrian Berisha, drejtor i Fondacionit “Hajde”, ka thënë se projekti i studios “Ars Atelie” është përzgjedhur si fitues për restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik dhe se sipas planifikimeve të Fondacionit ‘Hajde”, punimet pritet të fillojnë në tremujorin e parë të vitit 2025.
“Restaurimi parashihet të kushtojë prej 1.2 milion deri në 1.7 milion euro. Kjo shumë do të varet nga projekti detaj që do ta finalizojmë deri në dy javorin e parë të muajit nëntor. Financimi kapital për restaurimin do të vijë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Fondacioni ‘Hajde’ mbështet procedurat paraprake përmes financimit të punës ekipore deri në finalizimin e projektit detajues”- ka thënë drejtori Berisha, për KALLXO.com.
Më 05.08.2024, ministri Çeku, përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se një juri në përbërje të Jüergen Mayer, Petrit Halilaj, Florina Jerliu, Sali Shoshi, Merita Augustini Nrecaj, Donjetë Murati e Alban Berisha, shpallën projektin e studios “Ars Atelie” si më të përshtatshmin për restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik.
“Duke ruajtur vlerat dhe strukturën origjinale, projekti i përzgjedhur shpalos tërë potencialin e monumentit drejt një hapësire që përveç funksionit, ngrit edhe vetëdijen për trajtimin e mirëfilltë të monumenteve të Kosovës. Tashmë jemi një hap më afër rijetësimit të Shtëpisë së Kulturës e cila zë vend të veçantë në kujtesën kolektive të komunitetit si dëshmi e historisë kulturore të Runikut”- ka shkruar Çeku në Facebook.
Shtëpia e Kulturës në Runik është në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme.