Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Regjisorja Lorena Sopi: Aty ku përfundon bota e vogël reale, aty fillon bota e pakufishme e artit

Regjisorja Lorena Sopi ka fituar tri çmime në tri festivale të ndryshme, brenda dy ditëve.

Me filmin “Rreze” (Ray) që u shfaq në festivalin “Liberty Film Awards” në Nju Jork -ShBA dhe “Schauerfilm” që u shfaq në “Universal Film Festival” në Mumbai të Indisë, në maj, Lorena Sopi fitoi çmimin për filmin më të mirë të shkurtër.

Ndërsa, filmi tjetër i saj, “Përjetësisht fëmijë” (Eternally Child), ka fituar çmimin për aktorin më të mirë (Xhevat Qorraj) në festivalin “Ivera Film Festival” në Itali.

Në këtë intervistë për KALLXO.com, regjisorja Sopi flet për filmat e saj, për peshën e çmimeve ndërkombëtare dhe ushtrimin e profesionit të regjisë.

Gjatë kësaj interviste ajo ka thënë se regjisorët e rinj janë duke u përballur me vështirësi të mëdha për realizimin e projekteve të tyre filmike.

“Është tepër e vështirë të gjeni mbështetje financiare, madje edhe morale në një shoqëri ku mungon hierarkia e vlerave. Në një shoqëri ku gruaja/vajza të shumtën e rasteve shihet si estradë lakuriqe dhe ku arti konsiderohet zbavitje pa asnjë lloj vlere”, ka thënë ndër të tjerash gjatë kësaj interviste regjisorja Sopi.

Intervista e plotë:

KALLXO.com: Në cilat festivale janë shfaqur dhe sa çmime kanë fituar, deri tash filmat tuaj?

Lorena Sopi: Unë jam një filmbërëse në hapat e parë. Kam diplomuar në Toronto Film School – Degën e produksionit. Po ashtu jam në përfundim të vitit të katërt, Bachelor në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Arteve, Dega e regjisë se filmit.

Deri më tani kam realizuar pesë filma të shkurtër si skenariste dhe regjisore. Kam qenë producente në disa prej tyre dhe në një film dokumentar të metrazhit të gjatë.

Filmat e mi për këto tri vjet kanë qenë pjesë e rreth 200 festivaleve ndërkombëtare duke filluar nga ato më të mëdhatë si: “Cannes Film Festival” (short corner), “Oberhausen Short Film Festival”, në “York International Film Festival”, “Los Angeles International Film Festival”, “Delhi International Film Festival”, “Amsterdam International Film Festival”, “Salerno International Film Festival”, “Vancouver International Film Festival”, “Rio de Janiro International Film Festival”, “Jakarta International Film Festival”, “London Film Festival”, “Paris Signes de Nuit”, e shumë të tjerë. Filmat e mi deri tani kanë fituar mbi 60 çmime ndërkombëtare në Los Angeles, New Delhi, New York, London, Vancouver, Montecatini, Las Vegas, etj.

KALLXO.com: Çfarë do të thotë për një regjisore të re të fitojë tri çmime, njëkohësisht?

Lorena Sopi: Filmat e mi të shkurtër, deri më tani kanë fituar në 40 festivale që njihen nga IMDB. Tri çmimet e fundit që kanë ardhur nga tri kontinente brenda dy netësh, kanë qenë një koincidencë, meqenëse filmat e mi: “Përjetësisht fëmijë’ (Itali), “Rreze” (USA) dhe “Schauerfilm” (Indi) kanë qenë pjesë zyrtare e këtyre tri festivaleve të cilat kanë përfunduar brenda një vikendi.

Natyrisht se ndjehem e përkëdhelur kur nga të tri festivalet ku shfaqeshin filmat e mi, vijnë çmime të rëndësishme. Çmimet, padyshim se janë një lloj vlerësimi domethënës kur vijnë nga bota profesioniste e kolegëve. Dhe një lloj dëshmie se arti ynë që krijohet me shumë vështirësi në një vend të vogël, megjithatë është kompetent me gjithë botën.

KALLXO.com: : Cilat janë temat që trajtojnë filmat tuaj?

Lorena Sopi: Dy filmat e mi, të parë trajtojnë fshirjen e kufijve mes jetës dhe vdekjes. “Një balerinë që ndillet nga vetvetja që të shkojë drejt një aksidenti fatal” (Mona), apo “Një baba plak i cili takon fëmijën e vdekur për t’i kërkuar atij falje për vrasjen aksidentale në rininë e hershme” (Përjetësisht fëmijë).

Filmi “Rreze” trajton luftën nga këndvështrimi i një fëmije. Është i bërë nga një fletë ditari të luftës nga Rreze Avdullahu. Trajton luftën si fenomen asgjësimi të pajustifikueshëm dhe dëshirën e papërballueshme për të jetuar.

Kurse, dy filmat e mi të fundit, kanë një dozë të komedisë së zezë. “Shauerfilm”, trajton një situatë të errët komike në një shkollë filmi e cila i “përpinë’ talentet, studentët e vet.

Ndërkaq, filmi i cili së shpejti do të ketë premierën në një festival të rëndësishëm ndërkombëtar mban titullin ‘Thurje # Hashtag”, për të cilin skenarin e ka shkruar Brikena Sopi dhe i cili trajton një temë që ndeshet si e zakontë në jetën e përditshme, por e cila gjatë zhvillimit merr dimensione të thella dhe të panjohura, dimensione të tjetërsimit, vetmisë, humbjes.

Filmi flet për jetën fiktive të një vajze të apasionuar pas rrjeteve sociale, e cila humb identitetin dhe vetveten duke besuar në një jetë virtuale që realisht nuk ekziston.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KALLXO.com: Sa është e vështirë të merresh sot me filmin në Kosovë, veçanërisht për regjisorët e rinj?

Lorena Sopi: Është punë e Sizifit. Pothuajse e pamundur. Është tepër e vështirë të gjeni mbështetje financiare, madje edhe morale në një shoqëri ku mungon hierarkia e vlerave. Në një shoqëri ku femra të shumtën e rasteve shihet si estradë lakuriqe dhe ku arti konsiderohet zbavitje pa asnjë lloj vlere. S’di çfarë të them!

Personalisht, filmat e mi i kam realizuar me ndihmën e miqve dhe kolegeve të mi dhe me financa ekskluzivisht vetanake. Pa asnjë lloj përkrahje institucionale. Nuk është realitet fare inkurajues, por nuk do të thotë se dështimi i një strukture politike, dështimi i institucioneve të instrumentalizuara, apo dështimi i një gjenerate të padijshme udhëheqësish duhet të merret si fund i një rruge të vështire të cilën e ke zgjedhur me vetëdëshirë.

Arti nuk është garë në shtigje të shkurtra. Prandaj, artisti duhet t’ i besojë vetes deri në fund. Sepse arti është si uji që ecën. Mund të ndalohet përkohësisht, por ai gjen shtigje alternative për ta vazhduar rrjedhën.

Arti nuk është zbavitje. Jetë e reprodukuar besnikërisht. Jo, një botëkuptim i tillë është veç dimensioni elementar që i ofrohet publikut mediokër. Kaq. Filmi si art, kapërcen dimensionet reale dhe zhytet në shtresat e thella kuptimore, emotive, ekzistenciale. “Aty ku përfundon bota e vogël reale, aty fillon bota e madhe dhe e pakufishme e artit, si një alternativë dhe privilegj i asaj që e gjakojmë, por nuk e kemi’.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com