Foto: ZP

Regjisorja Blerta Basholli nderohet me Medaljen Presidenciale të Meritave

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka nderuar me Medaljen Presidenciale të Meritave regjisoren Blerta Basholli, për kontributin e dhënë në fushën e kulturës.

Ky nderim për regjisoren Basholli vjen pas suksesit të filmit “Zgjoi” në festivalin “Sundance Film Festival” në SHBA, dhe për nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në ceremoninë e organizuar për këtë rast, u.d. Osmani e përgëzoi regjisoren Basholli për suksesin e arritur në një prej festivaleve më prestigjioze ndërkombëtare si dhe për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në skenën ndërkombëtare të filmit.

“Puna që e keni bërë ju dhe kolegët tuaj ndër vite për tregimin e historisë së Kosovës përtej kufijve tanë është për t’u admiruar. Të gjithë në Kosovë krenohemi me të arriturat tuaja dhe ju falënderohemi për kontributin e veçantë që po e bëni drejt krijimit të një imazhi të ri për vendin tonë”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani.

Po ashtu, u.d. Presidentja Osmani theksoi që mbështetja për komunitetin artistik do të zë një vëmendje të veçantë, dhe që puna, angazhimi dhe zelli i komunitetit artistik duhet të jetë referencë edhe për politikëbërjen në vend.

 

Foto: ZP